Donald Trump po shqyrton planet për të përdorur kërcënime për t’u tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për të vënë SHBA-në në krye të saj.
Duke cituar një dokument propozimi dhe dy burime, agjencia e lajmeve Reuters tha se ekipi i Trump këshilloi që ai të kërkonte që një zyrtar amerikan të shërbente si drejtor i përgjithshëm, kur të përfundojë mandati i Tedros Adhanom Ghebreyesus në 2027.
SHBA është financuesi i vetëm më i madh i OBSH-së, por Trump ka urdhëruar Amerikën të largohet nga agjencia globale e shëndetit në janar 2026, transmeton Telegrafi.
Dokumenti i propozimit bën thirrje për emërimin e një të dërguari të posaçëm të SHBA në 2025, për të mbikëqyrur negociatat me OBSH-në për reformat e mundshme.
Plani, i përpiluar nga një ekspert i politikave të jashtme, akuzon OBSH-në se është “kaotike” dhe se nuk arrin të zbatojë reformat.
Drejtori i transformimit të organizatës, Soren Brostrom, hodhi poshtë kritikat, duke thënë se agjencia ka ndërmarrë reformat e saj më themelore deri më tani nën Tedros.
Ai tha se çdo shtet anëtar mund të propozojë një drejtor të përgjithshëm dhe të shtyjë para agjendën për kandidatin e tij.
Bordi ekzekutiv i OBSH-së zgjedh një listë të ngushtë të kandidatëve, dhe kandidati që siguron të paktën dy të tretat e votave të shteteve anëtare zgjidhet për këtë rol. /Telegrafi/