Ekipit shqiptar Çamëria i është ndaluar vazhdimi i pjesëmarrjes në eventin sportiv Champions League e Minifutbollit në Greqi për shkak të llogos, emrit dhe fanellës.
Trajneri Irtan Sejko ka reaguar për Euronews Albania duke thënë se “autoritetet greke nuk dëshirojnë që skuadra me emrin “Çamëria” të marrë pjesë në Champions League e minifutbollit që zhvillohet në Kretë Greqi për shkak të simboleve”.
Mediat greke kanë ngritur si shqetësim se si një ekip shqiptar nën emrin “Çamëria” luan në kompeticionin e minifutbollit që zhvillohet në Greqi.
Ekipi shqiptar është paralajmëruar të bëjë kujdes për shkak të grupimeve nacionaliste atje.
Sejko ka thënë se tashmë ekipi e ka braktisur garën pasi ata nuk u lejuan të luajnë më simbolet e tyre. Ndërkohë pas kontakteve me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Ambasadën Shqiptare në Greqi, ekipi pritet të shoqërohet nga policia greke drejt aeroportit dhe të kthehet në Tiranë. /Telegrafi/