Telegrafi

Ekipi Negociator nuk do të pranojë asgjë më pak se pavarësinë e Kosovës

Në takimin e sotëm, ekipi diskutoi përgatitjet për takimin e radhës me Treshen dhe delegacionin e Beogradit, me 5 nëntor në Vjenë. Sipas Hysenit, plani i Ahtisaarit ende mbetet dokument bazë për statusin e Kosovës.

Ekipi negociator i Kosovës vazhdon të këmbëngul se nuk ka asnjë informacion zyrtar rreth mundësisë së anashkalimit të planit të Ahtisaarit në procesin e definimit të statusit.

Zëdhënësi Hyseni tha sot se ky plan vazhdon të mbetet bazë, pavarësisht nga paralajmërimet e ditëve të fundit se Treshja e Grupit të Kontaktit po përgatit një dokument të ri për statusin e Kosovës.

“Ekipi është i Gatshëm të diskutojë gjithçka që del në tavolinë por nuk është i gatshëm të pranojë asgjë më pak se pavarësinë e Kosovës” tha Hyseni.

Ekipi diskutoi sot rreth ecurisë së procesit për përgatitjen e ligjeve që dalin nga pakoja e Ahtisaarit. Sipas Hysenit, kushtetuta dhe ligjet tjera duhet të jenë të gatshme në momentin e pavarësimit të vendit.

“Është vendim i ekipit që e gjithë kjo pako të jetë e gatshme në momentin e nevojshëm dhe të dërgohet për aprovim në parlamentin e Kosovës”, tha Hyseni.

Ekipi gjithashtu vlerësoi se fushata zgjedhore nuk po ndikon negativisht në procesin e statusit. Përgatitjet për takimin e radhës me Treshen dhe delegacionin e Beogradit me 5 nëntor në Vjenë.

Hyseni konfirmoi se ekipi tani më ka marrë ftesën në të cilën sqarohet se Treshja fillimisht do të takohet me përfaqësuesit e Serbisë, pastaj me të Kosovës dhe pasdite planifikohet takim trepalësh ku thuhet se do të vazhdojë diskutimi për 14 pikat e propozuara nga Treshja.

Deri më 10 dhjetor pritet të mbahen edhe tre takime të drejtpërdrejta ndërmjet palëve. /RTK/