Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim kryesuesit e Ekipit Negociator, Shpend Ahmetin dhe Fatmir Limajn.
Shefi i ekzekutivit kosovar ka bërë të ditur se në këtë takim është informuar për vizitën e parë të delegacionit në Bruksel.
“Takim informues nga bashkëkryesuesit e Delegacionit Shtetëror për bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, për rrjedhën e vizitës në Bruksel. Delegacionin Shtetëror i përgëzova për paraqitjen e shkëlqyer të qëndrimeve të Kosovës përballë zyrtarëve të BE-së për dialogun me Serbinë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai tutje ka thënë se Kosova po synon një marrëveshje me Serbinë, që i siguron ulëse në OKB dhe njohje nga shteti serb.
“Arritja e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse me shtetin fqinj, që do të thotë njohje reciproke ndërmjet dy shteteve, i siguron Kosovës ulësen në OKB dhe organizatat tjera ndërkombëtare. Kosova, e përkushtuar për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet, është e vendosur për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë”, përfundon postimi në facebook i Ramush Haradinajt.
Ky i fundit dje në një konferencë për media e vlerësoi takimin si hap përpara.
“Është hap përpara, por jo kush e di çka”, deklaroi dje Haradinaj. /Telegrafi/