Site icon Telegrafi

Platforma për dialog dorëzohet në Kuvend, ekipi negociator thotë se Kosova në Bruksel shkon për njohje dhe asgjë tjetër

Ekipi negociator shtetëror, i ka dorëzuar sot zyrtarisht Platformën për dialogun Kosovë-Serbi, kryeparlamanetarit Kadri Veseli.

Pas dorëzimit të kësaj platforme, Veseli para mediave ka thënë se kjo Platformë është hartuar për marrëveshjen përfundimtare dhe ligjërisht obligative për dialogun me Serbinë.

“Kjo nënkupton sovranitet të plotë dhe integritet, garanton se nuk do të ketë Republikë Srbska brenda Kosovës…Është një bazë e mirë të cilën Kuvendi do ta shqyrtojë në afatin më të shpejtë”, ka thënë Veseli.

Ai ka shtuar se do ta miratojmë këtë Platformë, ndërkaq ka siguruar qytetarët e fjalën e fundit për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, do ta thonë ata përmes referendumit, shkruan Telegrafi.

Veseli u bëri thirrje  opozitës që të jenë bashkëpjesëmarrës në procesin e dialogut historik që e bënë Kosovën anëtare në OKB dhe e dëshmon pavarësinë e tij.

Ekipi Negociator gjatë dorëzimit të Platformës për dialog te Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli

Në anën tjetër bashkëkryesuesi i Ekipit negociator, Shpend Ahmeti ka thënë se me dorëzimin e kësaj Platforme u japin fund spekulimeve se çfarë përmban kjo Platformë.

“Mendoj se përmes 11 parimeve që kemi vendosur e kemi bëtë të qartë se cili është qëndrimi zyrtar i Kosovës karshi Serbisë. Platforma bazohet në Kushtetutën e Kosovës, sa i përket sovranitetit dhe integritetit territorial që janë të pacenueshme…Nuk ka rend të tretë të qeverisjes në Kosovë përveç atij qendror dhe lokal…Në platformë është potencuar se resurset që janë në Kosovë janë e drejtë unike e Kosovës”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka shtuar se ky është dialog për njohje, dhe se nëse nuk ka njohje nga Serbia në fund të procesit, atëherë asnjë pikë e marrëveshjes përfundimtare nuk do të jetë e vlefshme.

Ahmeti ka thënë se me këtë proces të dialogut dhe Platformën e hartuar  duam të përfundojmë çështjet e hapura me Serbinë por duke mos cenuar shtetësinë tonë.

Ekipi Negociator gjatë dorëzimit të Platformës për dialog te Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli

Edhe Fatmir Limaj, ka thënë se sot kanë kryer punën e tyre të parë shumë të rëndësishme. Ai u bëri apel deputetëve që ta trajtojnë seriozisht këtë Platformë dhe e njëjta të miratohet nga Kuvendi.

“Platforma është e drejtuar në respekt të dy shteteve, nuk do të ketë pretendime të Kosovës ndaj shtetit fqinjë. Parimet janë ato të cilat garantojnë që në këtë pjesë të rajonit të ndërtohet paqja”, ka thënë Limaj.

Limaj ka shtuar se të gjithë duhet ta kenë të qartë se Kosova shkon në Bruksel për njohje dhe asgjë tjetër. /Telegrafi/

 

Exit mobile version