Site icon Telegrafi

Ekipi i Ndihmës së Shpejtë në Strugë me pacientin brenda automjetit kanë ndaluar për kafe, ministri Mexhiti paralajmëron përgjegjësi

Ministri i shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, do të kërkoj llogari nga Ndihma e Shpejtë në Shtëpinë e Shëndetit në Strugë, punëtorët e së cilës janë fotografuar përderisa kanë pirë kafe në një pikë karburanti, ndërsa pacienti i ka pritur në automjet me maskë.

Nga kabineti të ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, kanë thënë për “Makfax” se kanë biseduar me të gjitha palët e përfshirë në ngjarje, përfshirë këtu edhe vajzën e pacientit.

“Bëhet fjalë për pacientin i cili të hënën ka dalë nga spitali dhe është dashur që të transferohet në Spitalin e Përgjithshëm në Strugë. Pacienti ishte në fazën terminale të sëmundjes. Ai dhe vajza e tij u nisën vetëm me kërkesën e tyre me transportin e tyre. Mirëpo, kur kanë arritur në dalje të qytetit, vajza e kuptoi se nuk do ta mundej dot të voziste dhe thirri Ndihmën e Shpejtë në Strugë. Prej aty kanë siguruar një automjet, i cili ka mbërritur shpejt”.

“Kur automjeti mbërriti, vajza me kërkesën e saj, duke qenë se nuk kishte ngrënë apo pirë asgjë gjatë gjithë ditës, i kërkoi të ndalonin. Babai i saj ishte i vetëdijshëm, i kontaktueshëm, gjatë gjithë ditës. Ky informacion është konfirmuar plotësisht nga vajza e pacientit. Përkundër asaj që ajo ka kërkuar, ambulanca nuk është dashur të ndalojë në atë mënyrë dhe Ministria e Shëndetësisë ka iniciuar një inspektim dhe ka kërkuar deklaratë nga drejtori i Shtëpisë së Shëndetësisë në Strugë. Sipas të gjeturave do të ndërmerren masat e duhura”, kanë thënë për “Makfax” nga zyra e ministrit Mexhiti.

Përgjigje për këtë rast dje ka kërkuar edhe një gazetar, i cili ministrit Mexhiti i ka treguar fotografinë e pacientit dhe ekipit mjekësor të Ndihmës Emergjente të ulur për kafe, ndërsa ministri ka paralajmëruar se do të hetojë menjëherë rastin dhe do të marrë masa.

Exit mobile version