Telegrafi

Ekipi i Unitetit kërkon mirëkuptim nga Portugalia

Presidenti Fatmir Sejdiu gjatë takimit me ministrin Amado ka kërkuar mirëkuptim nga Portugalia si kryesuese e radhës së BE-së për hapat që do të ndërmarrë Prishtina, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, për pavarësinë e Kosovës, pas dorëzimit të raportit të Treshes sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, më 10 dhjetor, mbi rezultatet e bisedimeve shtesë.

"Gjatë takimit biseda kryesisht është përqendruar në modalitetet në prag të 10 dhjetorit, përfundimit të këtij procesi. Natyrisht ka një vetëdije në rritje të vendeve evropiane që statusi i Kosovës dhe koha për definimin e statusit të Kosovës nuk mund të presë gjatë. Kjo është bërë e qartë edhe nga Ekipi i Unitetit se populli i Kosovës ka qenë shumë i durueshëm, kooperativ dhe nuk do të mund të presë më gjatë sepse nuk është punë emocionesh, por ekzistenciale që kjo punë të përfundojë sa më parë", ka deklaruar për QIK-un, Skënder Hyseni, zëdhënës i Grupit të Unitetit.

Delegacioni i Kosovës, në kuadër të turneut diplomatik, sot në orët e pasdites, në Romë, do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Masimo d’Alema. Ndërkaq nesër, Grupi i Unitetit shkon në Berlin ku do të ketë një takim me shefin e diplomacisë gjermane Frank Walter-Steinmeier. /qik/