Telegrafi

Ekipi i Unitetit edhe në Bruksel shkon vetëm me Traktatin e Miqësisë

Pas takimit të sotëm, zëdhënësi i EU-së, Skënder Hyseni, ka bërë të ditur se pala kosovare edhe në Bruksel do ta shpalos Traktatin e Miqësisë me Serbinë, traktat i cili do të jetë bosht i platformës së delegacionit të Kosovës, deri në përfundim të kësaj periudhe shtesë të bisedimeve me Beogradin.

Lidhur me spekulimet serbe për idetë e një lidhjeje të Kosovës me Serbinë, përmes një konfederate apo krijimit të dy entiteteve në Kosovës, Hyseni ka thënë se idetë e tilla, si edhe ajo për ndarjen e vendit, janë plotësisht të papranueshme për palën kosovare.

Ndërkohë, pas takimit të djeshëm më shefin e UNMIK-ut dhe komandantin e KFOR-it, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka përsëritur qëndrimin se Kosova do ta shpallë edhe njëanshëm pavarësinë, nëse nuk arrihet një pajtim ndërkombëtar me përfundimin e bisedimeve shtesë, më 10 dhjetor.