“Edhe pse Honeyland nuk fitoi Oskar, jemi të vetëdijshëm për madhështinë e këtij filmi, për domethënien e mesazhit që e përcjell, për fuqinë e tregimeve të pafund që fshihen në këtë vend dhe për shumë artistë të talentuar që dinë t’i tregojnë ato histori para audiencës. Ne jemi të nderuar që jemi nominuar përkrah këtyre artistëve të mëdhenj me histori të guximshme, të cilët ju drejtohen njerëzve në mbarë botën, në gjuhën universale të kinematografisë”.
Ky është mesazhi i parë i ekipit të filmit Honeyland nga Maqedonia e Veriut, të cilët nuk arritën të fitonin çmimin Oskar, edhe pse ishin të nominuar në dy kategori, njofton Telegrafi Maqedoni.
Përmes një postimi në Facebook ata thonë se nuk kanë mundur ta parashohin se filmi i tyre do të futet në historinë e Maqedonisë dhe në historinë e nominimeve për Oskar.
“Kur e promovuam filmin në festivalin Sandas, para më shumë se një viti, ne as nuk shpresuam se do të arrijmë aq larg. I falënderojmë të gjithë që besuan në filmin tonë të vogël dhe na mbështetën, sidomos falënderojmë distributorin ‘Neon’ për besimin në fuqinë e kinematografisë dhe shfaqjen e tregimeve. Në fund duam të falënderojmë edhe yllin tonë udhëheqës, Hatixhe Murtova, që na lejoi të hyjmë në botën e saj të mrekullueshme. Filozofia e Hatixhes ‘merre gjysmën, lëre gjysmën’ – është e thjeshtë, por e thellë. Ky është mesazh që çdo audiencë mund ta gjejë. Jemi krenarë që jemi përcjellësit e këtij mesazhi”, kanë shkruar autorët e Honeyland.
Ndryshe, në kategorinë e filmit dokumentar më të mirë, çmimin Oskar e mori “Fabrika amerikane”, ndërsa si filmi më i mirë i huaj u shpall “Parazit” nga Koreja e Jugut./Telegrafi/