Telegrafi

Ekipi i Biden e krahason Trumpin me Hitlerin dhe Musolinin

Ekipi që udhëheq fushatën e presidentit amerikan Joe Biden ka akuzuar ish-presidentin Donald Trump se ka adoptuar retorikën e diktatorit nazist Adolf Hitler duke i quajtur kundërshtarët e tij politikë “të dëmshëm”.

Trump tha në një tubim të fushatës në New Hampshire të shtunën, se do të “çrrënjoste komunistët, marksistët, fashistët dhe të majtën radikalë që jetojnë në vendin tonë si parazitë, gënjejnë, vjedhin dhe mashtrojnë në zgjedhje”, duke përsëritur akuzat e vjetra se ai ishte i manipuluar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, transmeton Telegrafi.

Deklarata, të cilën ai e bëri në Ditën e Veteranëve, tërhoqi kritika në mediat sociale, me disa historianë që thanë se i ngjante retorikës së autokratëve që çnjerëzojnë rivalët e tyre.

“Ndërsa shumica e amerikanëve po nderonin heronjtë tanë gjatë fundjavës, Donald Trump përsëriti fjalët autokratike të Adolf Hitlerit dhe Benito Musolinit, dy diktatorëve kundër të cilëve shumë veteranë amerikanë luftuan dhe dhanë jetën e tyre”, tha zëdhënësi i fushatës së Biden, Ammar Moussa në një deklaratë.

“Donald Trump mendon se mund të fitojë duke sjellë ndarje në shoqërinë tonë. Ai e ka gabim, këtë do ta mësojë në nëntor të vitit të ardhshëm”, shtoi ai.

Steven Cheung, zëdhënës i fushatës së Trump, hedh poshtë krahasimet me Hitlerin dhe Musolinin.

“Ata që bëjnë këto krahasime qesharake po përpiqen të gjejnë ndonjë gjë (kundër) Trump dhe ajo ekzistencë e trishtuar dhe e mjerueshme do të shkatërrohet kur presidenti Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë”, tha Cheung.

Trump, kandidati kryesor për të fituar nominimin republikan për zgjedhjet e nëntorit 2024, ka një histori të gjatë të përdorimit të retorikës nxitëse kur përshkruan njerëzit që i sheh si kundërshtarë. Në një kohë, ai tha se emigrantët që hyjnë ilegalisht në SHBA po “helmojnë gjakun e popullit tonë”. /Telegrafi/