Të dielën në Prizren është zhvilluar turneu Prizren Edition 3×3 në organizim të klubit 3×3 Prishtina, Komunës së Prizrenit dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).
Përgjatë gjithë ditës ishte një atmosferë fantastike në Prizren, më saktësisht tek shatërvani, ku një numër i madh i adhuruesve të basketbollit ishin të pranishëm në ndeshjet në të cilat rivaliteti ishte shumë i madh, por edhe patëm rastin të shohim basketboll mjaft atraktiv.
Ekipi fitues i Prizren Edition është Bar-Bon nga Prizreni pasi në finale triumfoi ndaj ekipit të Prishtinës. Me këtë rast Bar-Bon e ka siguruar biletën për pjesëmarrje në FIBA 3×3 Challenger Prishtina.
Çmimin ekipit fitues ia ndau Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, kurse ekipit finalist çmimin ia ndau Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, e cila e ndau edhe çmimin për Ujkan Karanezin, i cili triumfoi për ngulitjen më të mirë.
Ndërkaq në ceremoninë hapëse morën pjesë Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, Drejtori i Sportit në Komunën e Prizrenit, Adem Morina dhe Fisnik Juniku, Drejtor i klubit 3×3 Prishtina.
Pas ceremonisë hapëse u zhvillua edhe një ndeshje atraktive ku morën pjesë, ish basketbollistët e ish basketbollistet: Shaqir Totaj, Elvira Dushku, Artan Kurti, Fikret Shatri, Anduena Rifati, Valentin Spaqi, Elinda Musliu, dhe Arbnor Rifati.
Duhet theksuar se prej 10 deri më 12 korrik në organizim të FBK-së në Prishtinë do të mbahet FIBA 3×3 U23 Nations League, kurse prej 14 deri më 16 korrik gjithashtu në Prishtinë do të organizohet FIBA 3×3 Women’s Series dhe FIBA 3×3 Challenger Prishtina.
Organizatore e këtij super eventi është klubi 3×3 Prishtina në mbështetje të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Kosovës, Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.