Ekipet harrojnë rivalitetin, bashkohen që të shtyjnë autoambulancën e ngecur në baltë (Video)
Kushtrim Gacaferri
Në pjesën veriore të Italisë, një ndeshje e ragbit është ndërprerë, pasi lojtarët janë bërë bashkë që të ndihmojnë autoambulancën të largohet nga terreni me baltë.
Takimi mes rivalëve të përbetuar, Casalmaggiore dhe Valle Camonica që garojnë në ligën C, është ndaluar në momentin kur Michele Prevedello ka pësuar një lëndim, transmeton Telegrafi.
Për pasojë, atë është dashur ta dërgojnë në spital, por makina që e bartte nuk mund të lëvizte nëpër tokën e lagur.
Në atë moment, lojtarët e kanë lënë rivalitetin anash dhe e kanë formuar një grup, për ta shtyrë autoambulancën.
“Shëndeti i Michele është më i rëndësishëm, andaj u bashkuam që ta ndihmojmë. Ishte një lojë e mrekullueshme dhe një veprim njerëzor që të gjithë do ta kishin bërë”, shkruan në komunikatën e ekipit Casalmaggiore. /Telegrafi/