Një nënë e katër fëmijëve që mbeti nën rrënoja pas tërmetit në Turqi, shpëtoi e gjallë së bashku me tre fëmijë, ndërsa ekipet vazhdojnë kërkimet për fëmijën tjetër.
Tërmeti që tronditi vendin, pasditen e së premtes, la të vdekur 26 persona si dhe dhjetëra të tjerë të lënduar.
Sipas medieve turke, përcjell Telegrafi, këto dridhje në vend reflektuan edhe me shkatërrimin e ndërtesave në qytetin e Izmirit.
Përafërsisht 23 orë pas tërmetit, nëna me tre fëmijët e saj u larguan me ndihmën e ekipeve.
Ata u hoqën nga rrënojat, u mbështollën me batanije dhe u dërguan në një ambulancë për trajtim.
Gruaja Seher Perinçek dhe katër fëmijët, kishin mbetur brenda rrënojave pas lëkundjeve nga tërmeti i djeshëm.
Të paktën 20 ndërtesa u shkatërruan në qytetin e Izmirit, bazuar në deklaratën e kryetarit të Bashkisë, Tunc Soyer.
Ndërkohë, agjencia e katastrofave në Turqi tha se të paktën 804 njerëz kanë pësuar lëndime nga tërmeti.
Një total prej 196 dridhjesh janë regjistruar, 23 prej të cilave ishin me 4.0 magnitudë, sipas agjencisë. /Telegrafi/