Site icon Telegrafi

Ekipet e reja për mbledhjen e mbeturinave, Rama njofton se janë sulmuar fizikisht punëtorët në lagjen Dardania

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se ekipet e reja të kontraktuara për mbledhjen e mbeturinave në kryeqytetet janë kërcënuar e sulmuar fizikisht të shtunën.

Rama thotë se sulmi ndaj punonjësve ka ndodhur në dy lokacione të lagjes Dardania, transmeton Telegrafi.

I pari i kryeqytetit këtë zhvillim e ka quajtur si “Sabotim politik i kthyer në dhunë”.

“Mbrëmë ekipet e reja të kontraktuara për mbledhje të mbeturinave në Kryeqytet janë kërcënuar e sulmuar nga disa punonjës të Kompanisë Rajonale ‘Pastrimi’ në dy lokacione të lagjes Dardania.
Në rastin e parë dy punonjës të kontraktuar janë sulmuar fizikisht, ndërsa në të dytin punonjës tjerë, po ashtu të kontraktuar, janë ndalur nga disa punonjës të Kompanisë Pastrimi dhe iu janë kërkuar letërnjoftimet dhe të dhëna tjera me qëllim të frikësimit”, ka bërë të ditur Rama.

Lexo po ashtu Rama: Problemit të mbeturinave në kryeqytet i erdhi fundi

Ai tutje, ka shkruar se organet e Policisë së Kosovës janë informuar dhe menjëherë kanë reaguar në vendin e ngjarjes.

“Për këtë veprim të menjëhershëm falënderoj Policinë e Kosovës. Për më shumë se një vit sabotimi të motivuar politikisht nga menaxhmenti i Kompanisë Pastrimi, Kryeqyteti jonë ka qenë në llumin e mbeturinave. Tani që zgjodhëm problemin, të njëjtit eksponentë eskaluan nga sabotimi në dhunë”, theksoi mes tjerash Rama.

Kryetari i Prishtinës ka siguruar qytetarët se nuk do të ndalen dhe do ta bëjnë Prishtinën  të pastër e të gjelbër.

Rama të shtunën njoftoi se kanë rritur kapacitetet e organeve të kryeqytetit për të mbledhur mbeturinat rregullisht.

Ai kishte pohuar se se problemit të mbeturinave në kryeqytet i erdhi fundi.

“Nga sot, kemi rritur kapacitetet e organeve të Kryeqytetit për të mbledhur mbeturinat rregullisht. Rritja e kapacitetit bashkë me kontejnerët e ri që po shpërndahen, janë rezultat i ndryshimeve që kam bërë në menaxhment të Drejtorisë së Shërbimeve Publike”, shkroi Rama të shtunën në proflin e tij në Facebook./Telegrafi/

Exit mobile version