Tashmë ka filluar verifikimi në terren i votuesve të dyshimtë në listën zgjedhore, e cila u publikua pas analizës krahasimore të të dhënave nga dhjetë institucione të ndryshme, me ç’rast një numër i madh votuesish është i dyshimtë. Ndërkaq edhe qytetarët kanë ndihmuar KSHZ-në me raportimet e tyer për parregullsi në listën zgjedhore.
Stafi i ”Telegrafi Maqedoni” arriti që të takojë një ekip verifikues të KSHZ-së në lagjen ”Bregu i Diellit” në Tetovë. Gjatë bisedës me këtë ekip, përbërja etnike e të cilëve ishte maqedonase dhe që kryente verifikimin në një lagje të pastër shqiptare, u kuptua se nuk është aq e lehtë për të kryer këtë verifikim.
Ekipi nuk ishte në gjendje që të gjente me lehtësi vendbanimet, ku duhej të vërtetonte votuesit e dyshimtë, për shkaqe të ndryshme, duke filluar nga numrat e shtëpive, të cilat nuk e kanë rendin e dikurshëm të njëpasnjëshëm, por edhe për shkak se shumë shtëpi janë të mbyllura, sepse personat janë me punë të përkohshme në vendet e jashtme./Telegrafi/