Telegrafi

Ekipet e kërkimit “po luftojnë me kohën” për të gjetur nëndetësen e zhdukur që transportonte turistë në një turne në rrënojat e Titanikut

Ekipet e kërkimit amerikan dhe kanadez “po luftojnë me kohën” për të gjetur një nëndetëse turistike që u zhduk gjatë një zhytjeje në rrënojat e Titanikut të dielën.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pesë persona ishin në bord kur kontakti me nëndetësen e vogël humbi rreth një orë e 45 minuta pas zhytjes së saj.

Operacioni i shpëtimit ka vazhduar edhe gjatë natës në mes të Atlantikut, por deri më tani nuk ka asnjë shenjë të anijes.

Lexo po ashtu Nëndetësja që transportonte turistë në një turne në rrënojat e Titanikut, është zhdukur në Oqeanin Atlantik

Agjencitë qeveritare, marinat e të dy vendeve dhe firmat tregtare në det të thellë po ndihmojnë të gjitha operacionin e shpëtimit.

Që nga e hëna pasdite, mendohej se anëtarëve të ekuipazhit u kishte mbetur oksigjen përafërsisht katër ditë. Mes tyre është edhe biznesmeni dhe eksploruesi miliarder britanik Hamish Harding.

Mbetjet e Titanikut ndodhen rreth 435 milje (700 km) në jug të St John’s, Newfoundland, megjithëse misioni i shpëtimit po drejtohet nga Boston, Massachusetts. /Telegrafi/