Rreth 2 mijë familje kanë kërkuar ndihmë nga Komuna e Prishtinës, së cilave do tu shpërndahen pako ushqimore sot.
Kështu ka bërë të ditur, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili njoftoi po ashtu se për shpërndarjen e këtyre ndihmave do tu vijë në ndihmë edhe ekipe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ndihmat të cilat po shpërndahen për familjet në Prishtinë janë duke u bartur nga Qendra e Numërimit të Votave, ku edhe janë grumbulluar, nga ku do të shkojnë drejt e nëpër shtëpitë e qytetarëve në nevojë të Komunës së Prishtinës.
“Jemi në Qendër të Numërimit të votave, por jo për zgjedhje. Jemi këtu për të shpërndarë ndihma. Sot në ndihmë na del edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, për të na ndihmu në shpërndarje sepse kemi rreth 2 mijë familje që kanë kërkuar ndihmë dhe natyrisht do ta bëjmë shpërndarjen shumë më shpejt kur i kemi edhe ekipet e FSK-së”, tha Ahmeti.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që po i ndihmojnë Komunës së Prishtinës, policët, punëtorët shëndetësor, vullnetarëve dhe ekipeve të FSK-së që kanë dalë sot për të shpërndarë pakot me ushqim. /Telegrafi/