Telegrafi

Ekipet mobile nesër vaksinojnë nxënësit në shkollën e mesme “Eqrem Qabej” në Prishtinë

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ekipet mobile nesër do t’i vaksinojnë nxënësit në Shkollën e Mesme “Eqrem Qabej” në Prishtinë.

“Në vijim të vaksinimit të nxënësve me vaksinën kundër COVID-19, Ministria e Shëndetësisë, ka organizuar për nesër  (e premte , 26 nëntor) ekipe mobil për vaksinimin e nxënësve në Shkollën e Mesme “Eqrem Qabej” në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, vaksinimi bëhet në bashkëpunim me drejtuesit e shkollës dhe zhvillohet nga ora 08:00 në mjediset e kësaj shkolle.

“Prindërit ose kujdestarët ligjorë të nxënësve që do të vaksinohen, janë të mirëpritur, nëse duan për të përcjellë nga afër vaksinimin, sikurse edhe mediat”, thuhet në fund, transmeton Telegrafi.

Ndërkaq, më herët, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka miratuar vaksinimin e fëmijëve 12 deri në 15 vjeç më 2 nëntor.

Deklarata e pëlqimit që duhet ta nënshkruajnë prindërit në mënyrë që fëmijët e tyre të mund të vaksinohen kundër koronavirusit.

Brenda tri javësh, mbi dymijë fëmijë të kësaj grupmoshe e kanë marrë vaksinën Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit, bën të ditur Zyra për informim e kësaj ministrie.

“Është një interesim solid, por që pritet të rritet. Ekipet e vaksinimit janë të gatshme për të vaksinuar nëpër shkolla, prandaj është me rëndësi që prindërit të konfirmojnë vaksinimin e tyre dhe të fillohet menjëherë me procesin e vaksinimit në shkolla”, ka thënë MSH-ja.

Numri i fëmijëve 12 deri në 15 vjeç në Kosovë, respektivisht i nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është rreth 99 mijë.

Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë nëpër shkolla materiale informuese për vaksinimin e fëmijëve, si dhe deklaratën e pajtueshmërisë, të cilën duhet ta nënshkruajë prindi ose kujdestari ligjor i fëmijës, në këtë rast nxënësit./Telegrafi/