Site icon Telegrafi

Ejupi: Menaxheri, fajtor për rastin e Rashicës

Reagimi i presidentit të FC Prishtina erdhi pas disa deklarimeve të lojtarit dhe menaxherit të tij, Shukri Asllani, se marrëveshja nuk ishte arritur për shkak të Gentit, i cili nuk ishte një gjendje të ofronte një ofertë të pranueshme për talentin 17 vjeçar.

“Fajin për dështimin e marrëveshjes ndërmjet Rashicës dhe Gent e ka menaxheri i tij”, tha Ejupi për Zërin. Sipas Ejupit, kërkesat e mëdha financiare ishin ato që ia mohuan Milotit të mbetet në futbollin belg.

“Unë nuk e kuptoj se si mund të kërkohet shumë për një lojtar, i cili kërkon afirmim dhe mundësi për t’u treguar në një klub evropian. Më me rëndësi do të ishte që lojtari të mbetej në Belgjikë, e jo të kërkohej më shumë para. Kërkesat për më shumë para janë të pakuptueshme në këso rastesh”, shtoi Ejupi.

Rashica me t’u kthyer në Kosovës kishte deklaruar se ka kaluar provat me sukses te Genti, por oferta jo edhe aq joshëse ka qenë vendimtare që ai të kthehej në Kosovë. Ejupi thotë se kjo ka ndodhur për shkak të insistimit të menaxherit për një ofertë më të lartë.

“Menaxheri ishte ai që ka kërkuar më shumë para dhe kjo ishte arsyeja e dështimit të marrëveshjes. Për të nuk ka qenë e rëndësishme marrëveshja, por që ai të fitojë sa më tepër në shpinë të lojtarit”, tha në vazhdim presidenti bardhekaltër. Shembull tipik se në këto raste nuk ka rëndësi paraja, por ajo që një talent të fitojë rastin të tregohet, është ai i Enis Gavazajt, i cili javë më parë ka arritur marrëveshje me Gentin dhe aktualisht është pjesë e klubit belg.

“Enisi është shembull se si duhet vepruar. Me këtë rast ne si klub nuk kemi kërkuar shumë, pasi që për neve ka qenë me rëndësi që lojtari të mbetet atje dhe të vazhdojë të zhvillohet si lojtar. Kemi kërkuar një shumë të arsyeshme dhe Enisi të fitojë të drejtën për të përparuar në karrierë”, tha Ejupi. Rashica ndërkohë është kthyer në Llamkos Kosova dhe ka vazhduar të stërvitet me ekipin për vazhdimin e garave në Superligën e Kosovës. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version