Kosovës mund t’i lejohet së shpejti zhvillimi i ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, por sa është e gatshme ajo t’i luajë ato? Ditëve të fundit ka pasur deklarata prej më të ndryshmeve rreth kësaj çështjeje, si në Kosovë, por edhe jashtë saj. Derisa zyrtarët e futbollit kosovar insistojnë se kjo është një gjë e mirë, ka edhe zëra të ndryshëm që thonë se kjo është asgjë në krahasim me kërkesën për njohje të plotë.
“Edhe po të merrej një vendim për zhvillimin e ndeshjeve miqësore kjo nuk do të ndryshonte asgjë në futbollin kosovar, pasi që ai dita-ditës po fundoset më shumë e më shumë”, tha presidenti i FC Prishtina, Remzi Ejupi, për gazetën Zëri. Sipas tij, Kosova aktualisht nuk e plotëson asnjë kriter për zhvillimin e ndeshjeve miqësore.
“Nuk e di se ku mendojnë t’i zhvillojmë ndeshjet miqësore, kur nuk kemi as stadiume e as para, kur dihet se organizimi i një ndeshje miqësore kushton me miliona euro, të cilat ne nuk i kemi, dhe as stadiume të kompletuara. Mesatarisht një ndeshje miqësore me një kundërshtar të fortë kushton mbi 1 milion euro. Pastaj ku janë paratë për rregullimin e stadiumeve”, shtoi Ejupi për gazetën. /Telegrafi/