Poezi nga: Allen Ginsberg
Përktheu: Fadil Bajraj
Hani Hani më shumë Tul kryqesh të mermerta më shumë
salcë derri!
Mëlmejeni lardhën, tiganiseni pulën në
vajin e vluar
Bartini derisa pikon për te klimat e bojëhirta, të borëzuara me
kripë,
Qingja të vegjël të mbuluar me mendër të rreshkur në skarë
e të rrethuar me patate të rreshkura e të qullura në
salcë gjalpe,
Medaljone viçi të lyera me gjalpë në jargë kajmaku,
mish kau të lyer me gjalpë, me male ndriçuese
pomfriti
Stroganofë në kajmak të valë e të thartë, bërxolla
të qullura në vaj ulliri,
të rrethuar me ullinj, djathë të shëllirtë feta, të përcjellë
me Roquefort Bleu e Stilton të etur
për verë, birrë Kokakolë Fanta Shampanjë
Pepsi recinë arak uiski vodkë
Ah! Ruajuni nga infarkti, pini ca
pilula angjine
porositeni një pjatë suxhuk të tultë, virshla të tiganisura,
disa miliarda Wimpys, hamburgerë McDonald’s
për shëtitje dhe gromsini!
Harrojini mashurkat, për çdo ditë nga pak karotë,
një lugë të shkurtër e të madhe përplot oriz të kripur do t`ju bënte
mirë, zbukurojeni pjatën;
hedhjani pakëz uthull turshie, rasoj të kripur
kontrollojeni kolesterolin tuaj,
përbijeni nga një tabletë
dhe porositni ndonjë llokmë sheqeri me Kajmak, paketojini 2 sa për
masën e rripit 44
Do t`u bjerë të fikët në vjelltore kthehuni e nxjirrini me kollë
thërrimat e sanduiçit duke përtypur pastrami në sallamerinë Katz
Kthehuni prapë në Europën Qendrore e llufitni Kilbasa
në Loxh
gëlltitni sallamë në Munih të shoqëruar me birrë,
e mëlçi në bukë të zezë në Berlin, djathë të yndyrshëm në
Hotelin me tre yje afër Sintagmës, e bukë të
bardhë të lyer goxha trashë me gjalpë
Rregullojeni një takëm shembujsh për kombet në zhvillim, kripë,
sheqer, yndyrë shtazore, kafe tabako raki
Të vdekurit sa më shpejt i hiqni qafe! bëjuni vend gastarbajterëve kinezë
me sojën gjizën lakrat e njoma e orizin e huaj!
Afrikanët Latinët me oriz fasule dhe kunguj mund të mbeten gjallë e për gazep
dhe grumbullojini nëpër apartamentet e klasës punëtore
me ushqim të përçudnuar –
Jo si kuzhina Perëndimore e pasur me proteina
kanceri infarkti tensioni i lartë djersitja
mëlçia e fryrë dhe shpnetka e zgjeruar
Diabeti dhe pika – përmendore për qytetërime
mishngrënëse
provoni duke e përdhunuar Belfastin
Bosnjën Qipron Nagorni Karabahun Gjeorgjinë
ose duke çuar letërbombë dashurie në
Vjenë apo duke ua futur flakën
shtëpive në Gjermaninë Lindore — doni edhe një kafe,
ja edhe një puro.
E kjo është pjatë me tortë çokollate nga pylli i zi,
ju këtë e meritoni.
Athinë, 19 dhjetor 1993