Site icon Telegrafi

Eintracht Frankfurti nënshtron Barcelonën në Camp Nou dhe e eliminon nga Liga e Evropës

(Foto: Twitter/Eintracht Frankfurt)

Eintracht Frankfurti ka qenë spektakolar (3-2) në ndeshjen kthyese çerekfinale të Ligës së Evropës kundër Barcelonës në Camp Nou.

Takimi i parë i zhvilluar në Waldstadion përfundoi me rezultat të barabartë (1-1) dhe pas sfidës në Spanjë, skuadra gjermane kualifikohet në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm prej 4-3.

Ekipi mysafir arriti që t’i shënonte dy gola ne 45 minutat e para të takimit. Që në minutat e para të takimit u akordua penallti në favor të mysafirëve, të cilën e konvertoi në gol Filip Kostic (4’).

(Foto: Twitter/Eintracht Frankfurt)

Ndërkaq, në minutën e 36-të, Rafael Borre dërgoi një goditje të pandalshme drejt portës së Marc-Andre ter Stegen që përfundoi në rrjetë.

Edhe pse Blaugranët u përpoqën të riktheheshin në lojë në fraksionin e dytë, vizitorët realizuan sërish përmes Filip Kostic (67’).

(Foto: Twitter/Eintracht Frankfurt)

Në minutën e 84 u anulua një gol i Sergio Busquets për shkak të pozitës jashtë lojë, por i njëjti më pas e realizoi një gol të bukur (90’+1).

Vendasit e shënuan edhe një tjetër gol në minutat shtesë (90’+11) nga penalltia, të cilën e ekzekutoi Memphis Depay.

Në gjysmëfinale, Eintracht Frankfurti luan kundër West Ham Unitedit që në çerekfinale eliminoi Lyonin. /Telegrafi/

https://twitter.com/PolleScouting/status/1514695039900913666

Exit mobile version