Ehat Miftaraj nga IKD ka kritikuar sistemin e punës në të cilën po bën Prokuroria Speciale ndaj rasteve të hetimit.
Miftaraj në “Debat Plus” theksoi se duke u bazuar në tri raportet e fundit të Progresit, Eulexit dhe IKD-së del në përfundim se prokurorët e Prokurorisë Speciale në Kosovë nuk “dijnë të bëjnë hetime apo edhe me i mbrojtë aktakuzat e ngritura në Gjykatë”.
Miftaraj akuzoi se ”Prokuroria Speciale” po udhëhiqet nga persona që nuk e kanë prioritet sundimin e ligjit.
“Kemi një Prokurori Speciale e cila udhëhiqet nga personat që fatkeqësisht sundimin e ligjit nuk e kanë prioritet. Në një mënyrë, e kanë me siguru që me ardh i pari e i dyti edhe me i dalë paga mujore. Pjesa tjetër dytësore. Bazohem në raportet e IKD-së dhe atyre ndërkombëtare. E çuditshme që Prokurorët e Prokurorisë, se si për 5 vite, raportet e Progresit, Eulexit e IKD-së, se Prokurorët e Prokurorisë Speciale nuk dinë të bëjnë hetime, nuk dinë me mbrojt aktakuzat në Gjykatë. Në raportet tona janë 95% e aktakuzave që dërgohen në Gjykatë, janë hetime administrative. Rasti i Nagip Krasniqit, kjo prokurori e padijshme. E akuzojnë avokatin si person zyrtar. Kemi pasur raport, emisione, kemi dërgu pyetje Prokurorëve se si ju po ngritni aktakuza ndaj personave ku Kodi i Procedurës Penale nuk i trajton si persona zyrtar”, vijoi Miftaraj.
E sot në tubim elektoral ku LVV-ja ka mbajtur në Drenas, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu gjatë fjalimit të saj ka goditur përsëri Prokurorinë Speciale.
“Prokuroria Speciale jam e sigurt që i ndjek tubimet tona. Andaj t’i dërgojmë mesazh ta dëgjoj zerin e këtyre thirrjeve” – tha Haxhiu, nën brohorimat “hajnat në burg, hajnat në burg”.
Për këtë, Miftaraj ka deklaruar se ministrja, Haxhiu nuk ka bashkëpunuar pavarësisht këshillave profesionale që IKD-ja i ka rekomanduar.
“Besoj që ministrja e ka pasur 4 vite në dispozicion. Me përgjegjësi si IKD kemi bërë përpjekje që me i ndihmu ministres për proceset para. Nëse ministrja Haxhiu e kishte marrë draftin e komandimit të IKD-së, Ligjin për Këshillin e Kosovës. Fatkeqësisht Haxhiu nuk e ka dëgjuar këtë këshillin. Në fund, draftin e propozuar para katër vite, e ka miratuar krejt në fundin e vitit”, vijoi Miftaraj.