Pas një nate të mbushur me emocione dhe lot, Egli përjetoi një moment prekës në Big Brother VIP Albania, kur produksioni i dhuroi një surprizë të veçantë – një vizitë nga motra e saj.
E prekur nga gjendja e Eglit gjatë ditëve të fundit, motra e saj shprehu shqetësimin për faktin se e kishte parë vazhdimisht të trishtuar për shkak të situatës me Gjestin.
Ajo e këshilloi që të jetë e fortë, ashtu siç e njeh në të vërtetë, dhe i kujtoi se duhet ta shijojë këtë eksperiencë, pa lejuar që emocionet ta pushtojnë.
“Unë nuk dua të të shoh më me lot”, i tha ajo, duke e inkurajuar të rikthehet te vetja dhe të mos lejojë që ndjenjat ta mposhtin.
Nga ana e saj, Egli u përpoq t’i shpjegonte se Gjesti nuk është një djalë i keq, duke mbrojtur raportin e saj me të.
Megjithatë, motra e saj mbeti e vendosur në këshillat e saj, duke i kërkuar të qëndrojë e fortë dhe të mos harrojë veten në këtë rrugëtim.
Ky moment solli emocione të forta jo vetëm për Eglin, por edhe për gjithë banorët e shtëpisë, të cilët ndoqën nga afër këtë përballje të sinqertë mes dy motrave. /Telegrafi/