Telegrafi: Egla, ky ka qenë një vit mjaft dinamik për ju, në rrafshin profesional dhe personal. Si do ta përshkruaje vitin 2024?
Egla Ceno: Ishte një vit shumë “i zhurmshëm” për shijet e mia, por “vetë e kruajta kurrizin”, siç themi ne nga Berati. Do të kisha dashur që kjo zhurmë dhe vëmendje të kishte ardhur gradualisht gjatë viteve si rezultat i punës sime si aktore, por rreth 15 vjet i humba në emigracion, kështu që “i futa” një Big Brother dhe ja ku jemi.
Telegrafi: Fitorja në Big Brother VIP Albania ishte një nga momentet më kulminante për ju këtë vit. Çfarë do të thoshte ajo për ju?
Egla Ceno: Ishte një gëzim i madh që publiku më votoi për të më nxjerrë fituese, as që e kisha menduar fitoren. Edhe çmimi prej 100 mijë eurosh ishte një shpërblim që më erdhi në kohën e duhur. Me punën time si artiste, Teatri nuk do t’ia kisha arritur kurrë të bashkonte 100 mijë euro. Teatri është i pasur për shpirtin, por xhepat të lë bosh.
Telegrafi: Nga spektakli në televizion, keni filluar një eksperiencë të re në “Goca dhe Gra”. Si po ju duket kjo eksperiencë?
Egla Ceno: Unë nuk e quaj veten moderatore, por kjo eksperiencë më mësoi shumë gjëra të reja. Patëm një ‘feedback’ pozitiv nga publiku, kolegët dhe produksioni. Televizioni është një terren që përveç profesionalizmit kërkon edhe ekzibicionizmin dhe unë e kam pak të vështirë të jem ekzibicioniste nëse nuk jam nën petkat e një personazhi (defekt profesional). U mundova të gjej një ekuilibër me veten dhe ashtu e përballova. Ishte një eksperiencë super, pasi grupi i punës ishte i përbërë me vajza dhe djem profesionistë, duke lehtësuar çdo vështirësi. Kam kënaqësinë të punoj me njerëz që dinë të bëjnë shumë mirë punën e tyre dhe respektojnë punën time.
Telegrafi: Nuk keni lënë prapa as shfaqjet teatrale dhe angazhimin tuaj në aktrim. Na trego pak ku do t’ju shohim tani?
Egla Ceno: Po punoj për 3 projekte teatrale. Në janar 2025 do të dal në skenë me një shfaqje në bashkëpunim me Teatrin e Korçës. Kasti është i përbërë nga aktorë profesionistë, ndër më të mirat aktualisht në treg, nën regjinë e Rovena Lule. Paralelisht, po ngremë një grup pune për të vazhduar një projekt teatral që ngeli përgjysëm rreth 8 vjet më parë. Shfaqja do të jetë një homazh për aktorin Bujar Lako, që u nda nga jeta në dhjetor 2016. E nisëm këtë shfaqje me Bujon e mrekullueshëm, por nuk e çuam dot deri në fund sepse ai u nda nga jeta. Tani, nën drejtimin artistik të Bojken Lako, duam ta përfundojmë në nder të aktorit tonë të paharruar Bujar Lako. Gjithashtu, po punoj me një grup fëmijësh me aftësi ndryshe për të realizuar një shfaqje bashkë me ta. Ata janë shumë kreativë dhe Teatri/muzika i ndihmon të shprehen. Është gjëja më e bukur që kam ndërmarrë vitet e fundit, një pasuri për shpirtin dhe mendjen.
Telegrafi: Keni një dashuri të pafundme për teatrin, e keni treguar edhe në BBVA historinë tuaj interesante të jetuarit në teatër dikur. Çfarë do të thotë teatri për ju?
Egla Ceno: Siç e ke formuluar edhe ti në pyetje, Teatri për mua ka erë shtëpie, sepse literalisht jam rritur në skenë. Unë isha në kopësht kur prindërit e mi u transferuan nga sistemi komunist në Poliçan, një qytezë afër Beratit. Siç ishin procedurat atëherë, sistemi të pajiste edhe me shtëpi, por pallati ku do të jetonin prindërit e mi ishte ende në ndërtim, kështu që na lejuan të jetojmë në dhomën e grimit të kinoteatrit ku punonte babi. Unë atë e mbaj mend si shtëpi, aty kam filluar të ndërtoj kujtimet e para, si 5/6 vjeçare. Aty flija, luaja, shikoja shfaqje, filma, publikun, aktorët, prapaskenën, ndriçimin etj. Prandaj, kur them që Teatri është shtëpi, nuk e kam në kuptim figurativ.
Telegrafi: Egla, ti je një aktore që ka tejkaluar edhe kufijtë kombëtarë të suksesit, duke iu bashkuar vite më parë serialit shumë të shikuar “100 Vitrinat”. Si e kujton eksperiencën tuaj aty?
Egla Ceno: Isha emigrante dhe nuk kisha shumë të ardhura për të ndjekur audicionet në Romë dhe Milano. Produksioni i “100 Vetrine” kishte studiot në qytezën ku jetoja, San Giusto Canavese, provincë e Torinos. Aty kam bërë shumë audicione deri sa më zgjodhën. Me disa prej tyre ruaj ende komunikim.
Telegrafi: Cilat janë synimet që ia ke vendosur vetes? Çfarë synimi ka tani Egla?
Egla Ceno: Të ruaj ekuilibrin me veten, pasi dua apo s’dua unë, vëmendja pas BBVA është e madhe. Të kujdesem për mamin, të bëj një doktoraturë në fushën e Artit, pasi ndiej nevojën të studioj. Të përpiqem të ndikoj sadopak që Teatri të bëhet një gjuhë komunikimi që në fazat e para shkollore, të jetoj aq sa e ka vendosur Zoti, duke respektuar parimet e mia dhe ç’të na serviri jeta pastaj… 🙂
Telegrafi: “Jam Ceno” – një frazë kjo e thënë nga ti që na ka mbetur në mendje. Çfarë do të thotë për ty “Jam Ceno”?
Egla Ceno: Ne Cenot njihemi si njerëz të thjeshtë, njerëz të punës. Babi im, “the Ceno”, ishte shumë i dashur nga komuniteti, por u nda nga jeta në një moshë shumë të re, 48 vjeç. Kur them Ceno, kam në mendje tim at’. Dua që ai të jetë krenar për mua, edhe atje ku është.
Telegrafi: Sa e rëndësishme është për ju të mbani ekuilibër mes jetës profesionale dhe asaj private? Si arrini ta bëni këtë?
Egla Ceno: Nuk mund të mendosh të kesh qenë në shtëpinë e Big Brother VIP dhe të mos pranosh të filmohesh nga kamerat dhe celularët, apo të mos jesh objekt i titujve të lajmeve, që në shumicën e rasteve janë të nxjerra nga konteksti dhe abuzuese për disa klikime në rrjetet sociale. Ajo shtëpi të jep shumë vëmendje. Megjithatë, unë vijoj jetën time siç ka qenë, duke u munduar të respektoj ligjin, komunitetin, tjetrin; mbi të gjitha veten, sepse çdo gjë fillon nga vetja. Si e ruaj ekuilibrin? Po ja, nga shtëpia e BBV asnjëherë nuk u thellova në historinë e jetës së njerëzve të mi më të afërm, të cilët pa dashjen e tyre u bënë “pjesë” e spektaklit. Nuk u thellova në detaje të jetës time private (prandaj quhet private). Preka diçka nëpër të, sepse konteksti ishte i tillë në atë reality show, por pa dashur të thellohem. Tregova thjesht çfarë doja të tregoja. Jam e lumtur sepse tani kur thuhet Ceno, flitet për një grua që nuk ka fëmijë, dhe kjo në shoqërinë tonë konsiderohet si defekt. Nuk është defekt, por të paktën tani flitet dhe duhet të flitet. Jam e lumtur sepse kur thuhet Ceno, flitet për një grua që nuk e mbajti më brenda vetes peshën e ngacmimit verbal seksual për një vend pune, të paktën tani mund të flitet. Jam e lumtur sepse kur thuhet Ceno, flitet për një grua që kujdeset për nënën e ve, dhe kjo zakonisht në mentalitetin tonë është “detyrë burrash”, ja që nuk është kështu. Jam e lumtur sepse kur thuhet Ceno, nuk thuhet kjo grua ka burrë filanin, ka qenë gruaja e fistekut, thuhet kjo grua nuk ka bërë kompromise për t’ia dalë. Kjo do të thotë që unë kam dirigjuar vëmendjen atje ku duhej drejtuar dhe jo te privatja ime. Se me kë ha, pi apo fle unë, janë vetëm punët e mia. Kjo është llogjika ime mbi ekuilibrin e jetës profesionale dhe private.
Telegrafi: Egla, faleminderit shumë që ishe pjesë e kësaj interviste. Përfundimisht, cili do të ishte mesazhi yt për lexuesit e Telegrafit?
Egla Ceno: Uroj me gjithë zemër begati, shëndet e paqe në familjet Kosovare dhe Shqiptare. Në Kosovë e kam ndjerë veten gjithmonë në shtëpi. Uroj të shihemi me publikun e Kosovës sa më shpesh. Shumë dashuri nga ana ime. /Telegrafi/