Telegrafi

Egjipti zbulon 13 sarkofagë antikë, askush nuk i ka prekur për 2500 vjet

Një varr i pazakontë me të paktën 13 sarkofagë prej druri 2500-vjeçar është zbuluar në nekropolin e Saqqara të Egjiptit.

Ajo që i bën këto arkivole të veçanta është fakti se ato kanë qëndruar të paprekura për mijëra vjet dhe janë ende të vulosura.

Ministria Egjiptiane e Turizmit dhe Antikiteteve tha se sarkofagët u gjetën në një varr rreth 11 metra nën tokë dhe ishin vendosur njëri mbi tjetrin. Ato janë ruajtur aq mirë sa disa ende kanë një pjesë të pikturuar të drurit, transmeton Telegrafi.

Tre kamare të mbyllura u gjetën gjithashtu brenda boshtit të varrit. Ministri, Khaled Al-Anani pohoi se ekziston mundësia të ketë më shumë sarkofagë në këtë varr që ende nuk është zbuluar krejtësisht, shkruan Science Alert.

Studiuesit besojnë se Saqqara ishte një nekropol i Memfisit, kryeqyteti i Egjiptit të lashtë. Egjiptianët varrosën të vdekurit e tyre për 3,000 vjet. Jo vetëm fisnikët, por edhe qytetarë të klasës së mesme ose punëtore u varrosën në këtë zonë.

Emrat dhe identitetet e egjiptianëve të varrosur ende nuk janë zbuluar dhe ndërsa gërmimet arkeologjike po vazhdojnë, ekspertët besojnë se këto informacione do të merren së shpejti. /Telegrafi/