Dar al-Iftaa (organi më i lartë për këshillime fetare) i Egjiptit lëshoi të martën një interpretim që e konsideron kriptovalutën Bitcoin si të ndaluar nga Islami, shkruan Telegrafi.
“Bitcoin mund të jetë e dëmshme për sigurinë shoqërore dhe ekonomike të vendit”, thuhet në njoftimin e Dar al-Iftaa, duke theksuar se monedha mund të prish sigurinë kombëtare dhe sistemet financiare qendrore.
Këshilltari i Myftiut të Egjiptit, Magdy Ashour, tha se monedha “përdoret drejtpërsëdrejti për të financuar terroristët”, duke shpjeguar se transaksionet e saj kërcënojnë dëme të mëdha për ekonominë.
“Nuk ka rregulla të caktuara, të cilat konsiderohen si anulim i kontratës në Islam, prandaj është e ndaluar”, shtoi Ashour.
Egjipti nuk ishte vendi i vetëm që ndalonte Bitcoin. Dijetari saudit, Assim al-Hakim, kohëve të fundit ka njoftuar se monedha është e ndaluar, sepse “është një formë kriptografike e parave që është e paqartë, paemër dhe jep mundësi për të mashtruar”.
“Ne e dimë se Bitcoin mbeten anonime kur ju merreni me të… që do të thotë se është një portë e hapur për pastrimin e parave, para e drogës dhe para haram (e ndaluar). Myslimanët nuk duhet të përfshihen në transaksione të tilla të dyshimta thjesht për të bërë një dollar të shpejtë apo për të bërë një fitim të shpejtë. Ky nuk është një koncept Islam”, paralajmëroi al-Hakim.
Bitcoin është një kriptovalutë e pavarur nga bankat tradicionale, filloi të qarkullojë në vitin 2009. Aktualisht vlera e një Bitcoin është 14,100 dollarë. /Telegrafi/