Site icon Telegrafi

Egjipti propozon një armëpushim dy-ditor në Gaza dhe lirimin e katër pengjeve

Egjipti ka propozuar një armëpushim dy-ditor midis Izraelit dhe Hamasit, gjatë të cilit do të lirohen katër pengjet e mbajtura në Gaza.

Presidenti Abdel-Fattah el-Sissi, duke folur në Kajro tha se propozimi përfshin gjithashtu lirimin e disa të burgosurve palestinezë dhe dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

Egjipti ka qenë një ndërmjetës kyç së bashku me Katarin dhe SHBA-në.

Por, kjo është hera e parë që presidenti i Egjiptit propozon publikisht një plan të tillë.

El-Sissi tha se propozimi synon “të çojë situatën përpara”, duke shtuar se sapo të hyjë në fuqi armëpushimi dyditor, negociatat do të vazhdojnë për ta bërë atë të përhershëm, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, nuk ka pasur një armëpushim në 11 muaj, që nga pauza njëjavore e luftimeve të nëntorit, në të cilat u liruan 105 pengje në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë.

Ndërkohë, shefi i Mossad i Izraelit udhëtoi për në Doha për bisedime me kryeministrin e Katarit dhe shefin e CIA-s.

Gjatë një memoriali qeveritar për përvjetorin hebraik të sulmit të 7 tetorit, Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant tha se “jo çdo qëllim mund të arrihet përmes operacioneve ushtarake”.

Ai shtoi se “do të kërkohen kompromise të dhimbshme” për kthimin e pengjeve.

Siç raportohet, propozimi i Egjiptit vjen një ditë pas sulmeve izraelite ndaj Iranit në përgjigje të sulmit me raketa balistike të Iranit në fillim të këtij muaji.

Udhëheqësi suprem i Iranit tha se sulmi “nuk duhet të ekzagjerohet dhe as të nënvlerësohet”, ndërsa nuk bëri thirrje për hakmarrje.

Ky ishte sulmi i parë i hapur i Izraelit ndaj armikut të tij kryesor. /Telegrafi/

Exit mobile version