Telegrafi

Egjipti dhe Tunizia, kriza favorizon turizmin në Ballkan

E përditshmja Mapo raportoi të martën se mediat ndërkombëtare theksojnë se trazirat në Egjipt dhe Tunizi, vende të cilësuara si shumë ekzotike për turistët e të gjithë botës në çdo stinë, do të orientojnë prurjet e turizmit drejt Ballkanit, për shkak të klimës dhe taksave të ulëta.

“Pritet që për verën e 2011-ës, Ballkani të rezultojë destinacioni turistik më i kërkuari. Pasi trazirat në Egjipt dhe Tunizi nuk harrohen lehtë nga turistët, të cilët do t’i transferojnë planet e tyre për pushime nga këto vende, në vende të tjera me klimë të ngjashme,” agjenci të huaja të lajmeve citohen nga Mapo.

Shqipëria shpreson të përfitojnë në mënyrë të konsiderueshme nga prurjet e reja pasi Lonely Planet e cilësoi atë si destinacionin turistik më të mirë për vitin 2011, ndërsa qeveria pritet të ndërhyjë për uljen e taksave të këtij sektori. Mapo citoi ekspertë të turizmit të kenë thënë se ulja e Tatimit të Vlerës së Shtuar (TVSH) për bizneset turistike, do të ndikonte në uljen e çmimeve dhe do ta bënte vendin tonë më konkurrues në rajon.

Rreth 960 njësi akomoduese janë regjistruar në rang vendi, nga të cilat 630 janë hotele, ndërsa pjesa tjetër motele dhe fshatra turistike. Qeveria pritet t’i propozojë shumë shpejt Ministrisë së Financave uljen e TVSH-së për turizmin edhe për shkak se sektori i turizmit, i cilësuar si prioritar nga qeveria vitet e fundit nuk ka rezultuar më fitimprurësi në ekonominë e vendit.

Gjithsesi, sipas Mapo, sinjalet nuk janë krejtësisht pozitive për Shqipërinë pas ngjarjeve të 21 janarit. Ekspertët e Shoqatës Shqiptare të Turizmit i thanë të përditshmes se efektet negative të saj në ekonominë shqiptare ende nuk janë frenuar. Sipas tyre, po vazhdon tkurrja e sektorit të turizmit në vend, ndërsa agjencitë e huaja kanë anuluar prenotimet dhe operatorët vendas janë të detyruar të vazhdojnë me shkurtimin nga vendi i punës të personelit.

Fryma pozitive e nxitur nga renditja e Shqipërisë në krye të listës së destinacioneve turistike të Lonely Planet dhe ekspertët e CNN-it, nuk është më e tillë pas datës 21 janar. Sipas të dhënave të Shoqatës Shqiptare të Turizmit pas 21 janarit janë ulur dukshëm udhëtimet për në Shqipëri dhe nga ana tjetër, agjencitë kanë anuluar prenotimet e bëra. /Telegrafi/