Tatëpjeta e eksporteve shqiptare vijoi edhe në tetor. Nga mbi 36 miliardë lekë një vit më parë, muajin e shkuar në tregjet e huaja u shitën mallra që kushtuan pak më shumë se 31 miliardë lekë. Marrë që nga fillimi i vitit, rezulton se kompanitë shqiptare kanë shitur 53 miliardë lekë më pak mallra në tregjet e huaja.
Me kursin aktual të këmbimit, humbjet përllogariten në rreth 530 milionë euro apo 14.3 për qind.
“Është ekstremisht shqetësuese, nuk e kam parë kurrë një grafik ku të gjithë treguesit janë negative. Duhet se zbën që qeveria të krijoj një komitet urgjence me një plan masash urgjente për tu kthyer në normalitet e cila i ka të gjithë treguesit e mundshëm të një krize ekonomike”, u shpreh Alban Zusi.
Rënia më e fortë e eksporteve në tetor rezulton te eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve me 8.2 për qind se krahasuar me një vit më parë. Duke ndjekur trajektore gati të njëjtë për të 10 muajt e këtij viti, eksporteve e ushqimeve dhe pijeve u tkurrën me 0.2 për qind në tetor. Po ashtu, në tregjet e huaja muajin e shkuar u shitën edhe më pak veshje këpucë duke theksuar “krizën e fasonit”.
“Efektet nga “superleku” po vijojnë duke mbajtur në krizë eksportet shqiptare. Duhet kohë e gjatë për të dal nga kjo situatë. Nga na tjetër, turizmi nuk po i jep hov prodhimit vendas duke bërë që eksportet e këtyre kategori produktesh të tkurren”, shpjegon Zusi.
Ndërkohë, pavarësisht shtimit të konsumit si pasojë e turizmi, në tetor janë importuar gati 1.2 miliardë lekë më pak produkte nga jashtë. Marrë në harkun e 10 muajve, rezulton që importet të jenë zgjeruar me rreth 14.2 miliardë lekë.
“Tregon një rënie të konsumit të brendshëm. Kësaj i bashkëngjiten dhe shifrat e emigrimit që s’do të punojë më këtu”, shton Zusi.
Rënia më e madhe e eksporteve në janar-tetor është me Kosovën me 24 për qind, ndjekur nga Italia me 13.6 për qind dhe Spanja 4.7 për qind. Nga ana tjetër, kompanitë shqiptare kanë çuar më shumë produkte drejt Greqisë dhe Gjermanisë. Eksportet e mallrave me këto dy shtete janë zgjeruar me respektivisht 12.3 dhe 11.4 për qind./A2 CNN