Telegrafi

Efektet mbytëse të ideologjisë së Maos

Deng Xiaoping pranon një kapelë kauboji në një rodeo në Hjuston të Teksasit, gjatë vizitës së tij në ShBA në vitin 1979 (foto: Wally McNamee/Corbis/Getty Images)

Nga: Julia Lovell / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Në pranverën e vitit 1977, kur udhëheqësia komuniste e Kinës po merrej me vdekjen e Mao Zedongut, komisari i ri i kulturës ishte i zënë duke botuar vëllimin e pestë të shkrimeve të zgjedhura të shefit të ndjerë. Por, kishte probleme, siç mësojmë nga historia e shkëlqyer e autorëve Chen Jian dhe Odd Arne Westad mbi të mirat dhe të këqijat e transformimit të Kinës nga Revolucioni Kulturor. Ishte mykur letra që për këtë moment rrinte në depo; nuk kishte energji të mjaftueshme për të vënë në punë makineritë e shtypit; tipografët punonin me ritëm të ngadaltë, të tmerruar se çdo gabim shtypi mund t’u kushtonte jetën.

Ky episod është paraqet si një metonim për sëmundjet e Kinës në fund të epokës së Maos: qeverisja, shoqëria dhe ekonomia ishin të bllokuara nga ideologjia. Në disa pjesë të Kinës lindore, njerëzit po vdisnin urie. Por, vetëm tetë vite më vonë, ndodhi një revolucion. I nxitur nga mekanizmat e tregut, ekonomia e Kinës po rritej me 13.5 për qind në vit. Njerëzit po vinin në pikëpyetje ideologjinë komuniste që i kishte magjepsur dhe tmerruar për dekada të tëra. Në librin Transformimi i Madh [The Great Transformation], Chen dhe Westad – dy nga historianët më të mirë sot të arkivave të Kinës komuniste – rrëfejnë në mënyrë të ftohtë, por interesante, dramën e jashtëzakonshme të kësaj metamorfoze.

Tezën e tyre qendrore e shtrojnë në kapitujt e parë dhe të fundit. Tranzicioni nga epoka e Maos e transformoi Kinën dhe botën: “Kina kaloi nga një shoqëri e varfër dhe e terrorizuar në fund të viteve 1960, në një shoqëri që deri në mesin e viteve 1980 kishte shpresë dhe besim”. Pjesa më e madhe e librit mes këtyre kapitujve ka pak opinione; autorët duan që të flasë materiali i tyre bindës i dorës së parë – përfshirë një mori dokumentesh në gjuhën kineze, kujtimesh, letrash dhe historish.

Ata fillojnë me brutalitetin anarkik të Revolucionit Kulturor: poshtërimet publike që çuan në vetëvrasje edhe krerët më të rreptë të sigurisë; plaçkitjet e Gardistëve të Kuq të vendeve më të shenjta të vendit; përkeqësimin e shpejtë fizik dhe mendor të Maos në pesë vitet e tij të fundit; krizën ekonomike që shkaktoi fiksimi i tij për pastërtinë ideologjike.

Por, Transformimi i madh identifikon gjithashtu rikthimin te ndërmarrësia pragmatike në fund të epokës së Maos, që lindi nga lodhja dhe zhgënjimi me Revolucionin Kulturor. Riafrimi i jashtëzakonshëm i Kinës me ShBA-në në vitin 1972, filloi të hapte vendin ndaj importeve amerikane, shumë prej tyre të paguara me kontrabandë të antikuarëve, mëndafsheve, kafshëve të gjalla dhe armëve.

Libri ndjek ringjalljen e Deng Xiaopingut – i cili u pastrua dy herë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të Maos – pas vitit 1972. Deng ishte një paradoks më vete: një avokat i lirive të tregut dhe një leninist autoritar. Gjatë kohës së tij si udhëheqës suprem (1978-‘97), biznesi u bë përsëri “pjesë integrale e shoqërisë kineze”; por, çdo kompani e re ndiente “dorën e gjatë të shtetit”.

Gati çdo faqe përmban ndonjë detaj interesant. Lin Biao (komandanti i dytë i Maos deri në përpjekjen e supozuar për atentat ndaj shefit dhe vdekjen e tij në një rrëzim misterioz aeroplani) vuante nga fobia e stilolapsave (ato e bënin nervoz dhe të djersitur). Mësojmë më shumë për paralizën e pushtetit dhe intrigat në oborrin e Maos në muajt e tij të fundit, kur vendi kontrollohej nga një triumvirat: nipi i tij, një ish-e dashur dhe një ish-balerinë. Në fillim të viteve 1980, një grup budistësh nga Pekini mori me qira tempullin e tyre të vandalizuar, për një biznes akulloresh të drejtuar nga murgjit. Rojat në kufirin me Vietnamin krijuan një operator turistik të quajtur Watchful, që ofronte një vizitë të kufirit dhe një drekë.

Autorët pohojnë se historia e “transformimit të madh” të Kinës është çelësi për të kuptuar se si Kina u bë shtet i zhvilluar autoritar siç është sot. Së pari, ata theksojnë se shumëçka nga rritja mahnitëse ekonomike e Kinës gjatë 40 e ca viteve të fundit, ishte rezultat i rastësive dhe ndërmarrësve individualë, dhe jo i planifikimit të centralizuar politik.

Së dyti, megjithëse Dengu vuajti tmerrësisht gjatë diktaturës së çmendur të Revolucionit Kulturor, në vitet 1980 dhe 1990 ai kurrë nuk e ka marrë parasysh reformën politike krahas asaj ekonomike; statusi i tij si një plak revolucionar siguroi që pikëpamjet e tij do të mbizotëronin mbi ato të ministrave të tij më të rinj dhe më liberalë. Tronditja epokale e viteve 1970 është “gjithashtu një histori e mundësive të humbura” për t’u shkëputur nga korrupsioni, keqmenaxhimi dhe abuzimet e shumta të autokracisë.

Sot Kina ka shumë nevojë për llogaridhënie ndaj të kaluarës, përmes shkrimit të historisë së dokumentuar me kujdes, në mënyrë që populli i saj të mund të kuptojë në mënyrë kritike vendimet dhe zgjedhjet që kanë formuar qeverinë dhe shoqërinë e tyre të tashme. Falë kontrollit të tyre të rreptë mbi narrativat historike publike, sundimtarët e Kinës mund të predikojnë një pikëpamje të vetme që ia atribuon çdo sukses mençurisë së Partisë Komuniste dhe çdo dështim “tradhtarëve ose të huajve”. Por, duke bërë kronikë të saktë të realitet shumë më të ndërlikuar, Transformimi i madh përshkruan rrugët, idetë dhe mundësitë e shumta që kanë formuar dhe vazhdojnë të formojnë të tashmen e Kinës. /Telegrafi/