Të jesh mjek i mirë dhe i edukuar sot në Kosove nuk është punë e lehtë. Sot mjeku modern kërkon formim të vazhduar, kërkon të jetë i edukuar në mënyrë konstante me njohuri bashkëkohore e dhe te ketë mundësi t’i zbaton ato ne praktikën mjekësore.
Progresi i mjekësisë, sot ka reformuar didaktikën, e cila krahas formimit profesional dhe shkencor, realizon dhe edukimin humanitar te mjekut te ardhshëm, për të kryer me dinjitet e me kompetenca misionin e mbrojtjes e forcimit te shëndetit të popullit, duke e konsideruar të sëmurët, persona dhe jo raste klinike.
Mjeku duhet gjatë tërë jetës të mësoj dhe të përcjelle te rejat shkencore. Derisa në Kosovë mungon edukimi dhe puna shkencore, në botë, gjatë një viti, publikohen mbi 2 milionë artikuj, në rreth 20.000 revista medico-shkencore.
Gjithkund në botë është rritur niveli shkencor dhe organizativ i kualifikimit, specializimit pasuniversitar dhe i formimit profesional te personelit mjekësor, që ka ndikuar në rritjen e cilësisë të shërbimit shëndetësor. Kurse te ne ekziston një edukim mjekësor i paorganizuar dhe pa ndonjë kurrikul.
Sot filozofia e re mjekësore po konfrontohet me koncepte, që rrjedhin nga studimet në fushën ekonomisë shëndetësore, për sigurimin e burimeve financiare në mbështetje të shërbimit shëndetësor, por dhe ne vlerësimin e kostos dhe përfitimit të terapive, të teknikave diagnostike e të ndërhyrjeve kirurgjikale. Këto aspekte kanë ndikuar të riorganizohet struktura dhe drejtimi i spitaleve, që tashme në aspektin ekonomiko-shëndetësor konsiderohen “ndërmarrje” që prodhojnë shëndet.
Ritmet e shpejta dhe niveli i lartë i zhvillimit të mjekësisë në botë ka zgjeruar fushën e ndërhyrjes te mjekësisë, më shumë në parandalim, por edhe në trajtimin e sëmundjeve duke studiuar ndikimin e kushteve mjedisore, stilin e jetës apo gjendjen sociale të pacientit.
Sot ne botën mjekësore çdo ditë komunikohen rezultate e prova të reja, madje nuk mbyllet java pa një zbulim te ri ne gjenetikë apo biologjinë molekulare, sidomos ne fushën e studimit te tumoreve malinje, duke krijuar mundësi te reja diagnostike dhe kurative për këto sëmundje.
Në vendet e zhvilluara janë në progres të përditshëm perfeksionimi i teknikave të ndërhyrjeve kirurgjikale, janë perfeksionuar transplantet e organeve dhe te indeve, në veçanti janë intensifikuar e thelluar studimet mbi qelizat staminale, qe kane hapur perspektiva te reja ne kurimin e shumë sëmundjeve.
Fatmirësisht informacioni profesional dhe shkencor, i shpërndarë nëpërmjet internetit, sot arrin ne kohë reale te personeli shëndetësor specialist dhe te mjeku i familjes. Dhe ata mjek te etur për dije në bazë vullnetare që kuptojnë gjuhën angleze shfrytëzojnë të rejat shkencore ne botë. Franc Ribeko ka thënë : “Shkenca nuk është pronë e askujt, ajo u përket te gjithëve” dhe shumë nga kjo pronë e përbashkët e dijes botërore sot po na ofrohet falë teknologjisë. Sa jemi te gatshëm ta shfrytëzojmë kjo varet nga ne.
Në dekadat e fundit është ndryshuar rrënjësisht terapia dhe gjithnjë e më shumë po zbatohen protokolle te reja terapeutike, përdorimi i medikamenteve të reja më të fuqishëm e me rezultative, që kanë ndikuar si ne përmirësimin e cilësisë së jetës të sëmurit, ashtu dhe ne shkurtimin e kohës të kurimit të shumë sëmundjeve. Kurse te ne shumica e protokolleve janë të stërvjetruar. S’mund të kënaqemi që një individ i përcjell këto trende të reja kur sistemi nuk ia lejon ti zbatojë dijen e fituar. Klasa e vjetër e mjekëve kanë primatin në këto aspekte dhe janë shume refuzues për novacionet terapeutike. Kur kësaj ia shtojmë edhe mundësit e dobëta ekonomike të vendit për aplikimin e tyre atëherë mund te themi me plotë gojën se ne jemi te ngujura ne vite e 80 –ta.
Prandaj politikë-bërësit mjekësor dhe arsimor duhet ti kushtojnë më shumë vëmendje investimit në edukimin shëndetësor. Investimi në burime njerëzore është investim që shpaguhet me shëndet më të mirë të popullatës. Konkretizimi i teorive shkencore të mjekësisë dhe zbatimi me profesionalitet i mjekësisë është art e shkencë, që së bashku përkufizojnë misionin e mjekut në mbrojtje te shëndetit e te jetës te popullit. Dhe këtë mision humanitar sa edhe shkencor do dinë ta realizojnë me mjeshtri vetëm mjekët qe kane formim te kompletuar e cilësor, që ecin me ritmet e kohës, që formohen e edukohen ne vazhdimësi me njohuri te reja shkencore.
(Autori është neurokirurg në QKU dhe drejtor i Qendrës për Hulumtime Shëndetësore)