Site icon Telegrafi

Edukimi mediatik si i domosdoshmëri për zgjidhjen e ‘dilemave sociale’!

Ilustrim

Këngëtari i famshëm i grupit ‘The Doors’, Jim Morrison, dikur ka thënë se kushdo që i kontrollon mediat, ai e kontrollon edhe mendjen. Morrisoni nuk jeton më, por fraza e tij u shndërrua në realitet meqë perceptimet tona në masë të madhe krijohen nga pushteti i katërt.

Çdo mëngjes, të rinjtë – sapo zgjohen – i kontrollojnë rrjetet sociale; janë të ‘bombarduar’ me “informacione”, me mesazhe, me lajme, propaganda e rrena që shpesh e krijojnë ndjenjën se dita e sotme ka filluar ters. Ndaj, ata duhet t’a shfrytëzojnë mëngjesin për ta përmirësuar veten; për të punuar për qëllimet e tyre, duke u marrë me lexim, studim, me obligime e aktivitete fizike …

Autorja e librit ‘Të vetmuar së bashku’, Sherry Turkle, thotë se njerëzit sot janë më të lidhur me njëri-tjetrin se kurrë më parë në historinë njerëzore, e krejt kjo falë rrjeteve sociale. Por, në jetën reale ata janë më të vetmuar e më të larguar se kurrë nga njëri-tjetri gjë që i tensionon edhe më marrëdhëniet tona personale.

Një studim i Universitetit të Goteborgut të Suedisë flet për efektet e përdorimit të ‘telefonave të zgjuar’ tek njerëzit në të njëzetat (përgjatë një viti). Studimi tregon se kjo ndërlidhet drejtpërdrejt me shtimin e depresionit – si te meshkujt ashtu edhe tek femrat. Në vendin tonë ende nuk janë bërë studimet e tilla, por a do të rezultonte ndryshe ky studim!?

Të gjithë jemi dëshmitarë të mbingarkesës me informacione. Mënyra se si jetojmë përcaktohet nga fuqia e mediave – si në aspektin pozitiv ashtu edhe në atë negativ. Të rinjtë e kanë të vështirë ta dinë se cili është informacion i vërtetë dhe cili i shtrembëruar meqë u mungon – sipas organizatës amerikane për edukim, ‘The Center for Media Literacy’ – edukimi mediatik: njohja e rolit të medias në shoqëri. Edukimi mediatik – si koncept për të menduar në mënyrë kritike – do t’i ndihmonte ata të ndërtojnë një diskurs objektiv, me këndvështrime më të shëndetshme.

Sociologu francez, Jean Baudrillard, ka thënë se media e përfaqëson botën që është më reale se realiteti që ne mund t’a përjetojmë dhe se njerëzit po e humbin aftësinë për të dalluar realitetin me fantazinë. E, ata që e kanë shikuar dokumentarin ‘Dilema Sociale’ duhet të brengosen, meqë shfaqet cenueshmëria e adoleshentëve që i përdorin platformat Tik-Tok Facebook, Snapchat, Instagram etj. duke krijuar vartësi e komplekse. Dokumentari tregon sesi mediat sociale i manipulojnë pikëpamjet, emocionet dhe sjelljet e të rinjve. Në rastin e Kosovës, duke pasë këtë parasysh, mësimdhënësit dhe prindërit e kanë të vështirë t’i bindin fëmijët se çfarë është e vërtetë e çfarë jo, por mund të tregojnë se jo gjithçka që shfaqet në internet është e vërtetë.

Propaganda dhe lajmet e rreme janë një nga sfidat më të mëdha të epokës sonë. Shkolla e gazetarisë “Craig Newmark”, në Nju-Jork, mundohet te na mësojë sesi të mos mashtrohemi nga “informacioni”. Hulumtimi thotë se kur e lexojmë një lajm, duhet të jemi skeptikë dhe ta kemi parasysh burimin; se titujt mund të jenë të sensacionalë për të marrë klikime; se duhet zbuluar autori: se duhet bërë kërkime për autorin, për faqen etj. Ky aspekt i edukimit mediatik është i dobishëm seçse u ndihmon të rinjve të bëhen “konsumatorë” më të mençur. Prandaj, ligjërimi i i edukimit mediatik në shkolla do t’i ndihmonte ata të nxisin të menduarit kritik.

Sipas organizatës jofitimprurëse amerikane, ‘Common Sense Media for Education’, edukimi mediatik është aftësia për të identifikuar llojet e ndryshme të mediave dhe për t’i kuptuar mesazhet që i dërgojnë. Ndërsa, ‘Trajtimi i propagandës’ – botuar nga Këshilli i Evropës, temë që mund të përshtatet te prioritetet e shkollave dhe të autoriteteve qendrore e lokale – thotë se stereotipat vështirë çrrënjosen, meqë origjina e tyre fle në shoqëri dhe përkeqësohet nga mbizotërimi i gjuhës së urrejtjes, i lajmeve të rreme dhe teorive të konspiracionit.

Zhvillime të dobishme për edukimin mediatik në Kosovë ka bërë Rrjeti i Mësimdhënësve të Gjuhës Angleze në Kosovë (KetNet), duke trajnuar mësimdhënësit për mendimin kritik – zhvillimin e debatit dhe edukimin mediatik. Në këtë drejtim ka punuar edhe misioni i OSBE-së, në bashkëpunim Dokufest-in. Programi i tyre ka përfshirë mësimdhënësit e fushës së gjuhëve dhe komunikimit, të arteve, shoqërisë, mjedisit dhe edukatës qytetare … në punëtorinë për përdorimin e edukimit mediatik në mësimdhënie. Kjo punëtori kishte për synim forcimin e aftësive të mësimdhënësve duke e përdorur filmin dokumentar si njësi mësimore për t’i aftësuar nxënësit për ballafaqim me problemet e ndryshme kulturore.

Çdo moment ne prodhojmë dhe konsumojmë lajme. Interneti – përveç dobisë marramendës – është burim i gjuhës së urrejtjes dhe i propagandës, e kjo po e ndryshon mënyrën se si i krijojmë perceptimet për jetën dhe të tjerët. Ministria e Arsimit duhet te mendojë që edukimin mediatik t’a përfshijë në procesin mësimor, ndërsa shkollat duhet të kenë platforma dhe aplikacione të ndryshme që u ndihmojnë të rinjve ta përdorin edukimin mediatik për qëllime mësimore.

Manjati i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, ka thënë se realiteti virtual dikur ishte ëndërr e fantashkencës dhe se e ardhmja (e parashikuar më parë) tashmë është mes nesh. Të shpresojmë për atë të ardhmen ku te rinjtë do të kenë aftësi për ta kuptuar realitetin të vërtetë, e jo që të zhyten në botët virtuale.

Exit mobile version