Telegrafi

“Edukatorja“ me emrin klasë politike

I riu kosovar edhe më tutje vazhdon të hasë në pengesa të njëpasnjëshme për të arritur në destinacion… Jo rrallë herë ndeshet e bie… Ndonëse provon shumë, merr pak… Me një fjalë, në të shumtën e rasteve s’e merr shpërblimin e merituar…

Por kujt i bënë për të?!

Kosova e pasluftës në vazhdimësi është ballafaquar dhe vazhdon të ballafaqohet me pasojat e tranzicionit. Tranzicioni shembi tradita të lashta, rrënoi kultura e degradoi me të madhe vlera artistike e kulturore. Ata që pësuan më së shumti nga kjo fazë qenë të rinjtë e këtij vendi, sepse ata u edukuan në frymën e tranzicionit.

Ata u edukuan nga mësues të paguar me rroga minimale të cilët të pamotivuar ekonomikisht, misionin e tyre jo rrallë e realizuan në tërësi. Ata u arsimuan në një sistem i cili më shumë qe eksperiment, sesa sistem arsimor i mirëfilltë. Andaj, s’është çudi që niveli i njohurive të tyre lë shumë për të dëshiruar…

Rinia kosovare për kaq shumë vite frymoi në hapësira të ngujuara nga antivlerat. U ushqye nga buka e gatuar me brumin e korrupsionit dhe shtetin e saj e pa të çalonte dhimbshëm… E pa klasën politike teksa orvatej deri në absurditet për të fituar pushtetin, dëgjoi premtimet e tyre të rrejshme, u josh nga to dhe në fund u ballafaqua me pasojat e gënjeshtrave të tyre…

Të gjitha këto s’qenë nga ato zhgënjime të lehta, të cilat harresa i mbulon me aq shpejtësi. Ato janë zhgënjime që godasin fuqishëm në formimin e gjithëmbarshëm të një të riu.

Ajo që dua të them është se kjo politikë dinake, manipulative e çka jo tjetër. ka injektuar tek të rinjtë ndjenjën e pesimizmit dhe në përgjithësi është përgjegjësja kryesore për mos ngritjen e kënaqshme intelektuale të tyre.

Na rastis shpesh të dëgjojmë shprehje të tilla si: “Në daç mëso, në daç mos mëso, në fund punësohet ai që ka të njohshëm në pozitat udhëheqëse“! Kjo aludon në atë se tashmë s’ka mbetur motiv i fuqishëm për të mësuar shumë, sepse ngritja intelektuale nuk ta përcakton pozitën shoqërore. Rrjedhimisht, më e rëndësishme duket të jetë të njohësh një politikan, sesa të përfundosh studimet me sukses të lartë!?

Nga kjo qartësohet jashtëzakonisht mirë ajo që u tha më lartë se kjo klasë politike po edukon të rinjtë e shtetit të saj në një ambient të ndotur me tym korrupsioni e hajnie, dhe në këtë mënyrë po vështirëson frymëmarrjen e lirshme të saj. Me punën e saj na bëri me dije se fuqia e ëndrrave rinore është e vogël përball pushtetit të tyre “të fuqishëm“. Dhe kështu, me leksionet e saj të njëpasnjëshme dëshmoi se është “edukatorja“ e palodhshme e rinisë së vendit…

Pra, siç shihet, barra e përgjegjësisë për një edukim të kënaqshëm të rinisë nuk bie vetëm mbi “fatin“ e tyre se qenë pjesë e një faze tranzitive, por bie kryekëput edhe mbi politikën udhëheqëse të këtij vendi.

Kemi dëgjuar shpesh të thuhet se “rinia është e ardhmja e shtetit“. Duke u bazuar në argumentet e mësipërme dhe pa dashur të tingëllojë pesimiste, mund të them lirisht se e nesërmja e Kosovës ndërtohet sot dhe muret e saj po ngrihen mbi themele të paqëndrueshme!