Site icon Telegrafi

Edukata fetare, një mundësi për të mos u manipuluar

Ditë me parë shikuam një video në një nga televizionet tona, ku shihej një i ri shqiptar, më nënshtetësi amerikane, duke folur për një plan, që sipas tij, atë do ta dërgonte në parajsë. Sipas këtij të riu, shkuarja në parajsë mund të bëhej duke sulmuar të tjerët. Gjithashtu para disa muajve lexuam dhe shikuam se si një i ri shqiptar me banim në SHBA, në bashkëpunim me disa persona të kombeve tjera, kishin bërë plane, po ashtu, për të shkuar në parajsë duke sulmuar pjesëtar të kombeve tjera. Të dy këto ngjarje i ngjanin një rasti të ndodhur, po ashtu, para një viti në SHBA, ku disa të rinj shqiptarë, shtetas amerikan, kishin bërë plane për të sulmuar disa baza ushtarake amerikan në SHBA.

Emëruesi i përbashkët i të tria këtyre ngjarjeve është, se këta të rinj shqiptarë (në bashkëpunim me të tjerët) mendonin për ta përdorur fenë, në këtë rast Fenë Islame, për të arritur objektivat e tyre. Këta të rinj duket se nuk kishin gjetur as edhe një shkas apo argument tjetër përmes të cilit do ta etiketonin një palë tjetër, në këtë rast amerikanët, si armik të tyre, në këtë rast si armik fetar. Duket se për këta të rinj të qenit pjesëtar i një feje tjetër, përbente argument të mjaftueshëm për të shpallur armik dikë, pa marr parasysh se kush ishte dhe çfarë kishte bërë ai tjetri për vendin dhe kombin e tyre.

Në anën tjetër, që nga paslufta një pjesë e shoqërisë në Kosovë vazhdon të ec drejtë një qorrsokaku, i cili mund ta dërgoj në humbje. Çdo ditë e me shumë shënohen raste të përdorimit dhe shpërndarjes së drogës, hapjes së shtëpive publike, kriminalitetit, vetëvrasjeve dhe dukurive të tjera të shëmtuara, të cilat përveç shkatërrimit të shpirtit të shëndosh, nuk i sjellin as edhe një të mirë shoqërisë dhe synimit për t’u përshtatur apo arritur vlerat e mirëfillta dhe civilizuese të cilat i synojmë. Derisa në shtete e perëndimit dhe me gjerë, qeveritë sot japin miliona euro apo dollar për ta shëruar rinin e tyre, ne që ende mund të mburremi me një rini të shëndosh, nuk marrim as mundin për ta parandaluar shkatërrimin e saj. Në këtë drejtim në radhë të parë do të duhej të angazhoheshin institucionet e Kosovës, nëse ato nuk kanë mundësi, kapacitet apo kohë, atëherë do të duhej nxitur institucionet e tjera shoqërore dhe sociale që të ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll apo në rrugë të drejtë rininë e Kosovës.

Argumentet e lartshënuara pasqyrojnë një realiteti aspak premtues, prandaj do të mjaftonin për t’u alarmuar të gjithë ata që ia duan të mirën këtij populli dhe vendi. Këto dy rast ilustruese do të mjaftoni si argumente, prej nga do të mund të fillohej debati i iniciuar nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) për lejimin apo jo të mësimit të edukatës fetare në shkollat e Kosovës. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm, besoj se këtë e kanë të qartë edhe drejtuesit e BIK-ut, se nuk po kërkohet dhe as synohet të unifikohet shteti dhe feja, të cilën e ndalon edhe Kushtetuta, por që nuk do të ishte e dobishme as për vetë Kosovën, ngase kemi raste të mjaftueshme që ky unifikim po shkakton më shumë probleme sesa që po ofron zgjidhje të çështjeve të caktuara, shikojeni Serbinë apo Greqinë.

Por, nëse për asgjë tjetër, ne në këtë rast do të duhej të debatonim për fenomenet e reja dhe të shpeshta brenda shoqërisë shqiptare, që gjithsesi të dyja rastet e lartshënuara janë një manipulim i mirëfilltë i rinis së Kosovës, kushteve, jetesës dhe perspektivës që kanë, në raport me atë që kanë ëndërruar të ndërtojnë në vendin dhe për vendin e tyre. Në këtë kontekst kërkesën e BIK-ut, por në një rast tjetër edhe të Kishës katolike apo ortodokse në Kosovë, do të duhej kuptuar dhe pranuar si ofertë të tyre për ta ndihmuar shoqërinë e Kosovës, e cila ka përjetuar një gjendje të rendë për shumë kohë, që të orientohet drejtë dhe t’i qaset ndërtimit të një të ardhme mbi baza të shëndosha, çka do të ishte ndihmës e madhe edhe për vetë misionin e institucioneve të Kosovës.

Ne më lart prezantuam dy raste, ku në të parin, të rinjtë kanë filluar të përdorin fenë si mjet për të sulmuar dhe për të identifikuar një palë tjetër si armik. Dhe në rastin e dytë, ku kemi paraqitjen dhe rritjen e dukurive negative, të cilat do ta krimbin shoqërinë tonë, për të kalbur më vonë, çka do të ishte edhe fundi i një shteti të fortë. Në këtë debat për dhe kundër përfshirjes së edukatës fetare në shkollat e Kosovës, një sqarim për shumë fenomene institucionet fetare në Kosovë do të mund të jepnin kontributin e tyre, si p.sh. prej nga tani shqiptarët nxjerrin fenë si mision të tyre për beteja të reja? A ka lidhje kjo me fenë, apo e tëra është një manipulim për interesa të dikujt tjetër? Çfarë do të mund të bënte feja në parandalimin e kësaj dukurie dhe si do të mund ta shpjegonte ajo një fenomen të tillë? Ka mjaftë pyetje, përgjigjet e të cilave prijësit e feve do të mund t’i jepnin dhe të cilat do ta ndihmonin shoqërinë e Kosovës të orientohet drejtë, për të mos e lejuar që t’i hyjë ndonjë rrugë pa krye dhe më shumë rreziqe!

Ne jemi dëshmitarë se, për dukuri të tilla asnjëherë historia jonë nuk ka shkruar të kenë ekzistuar apo ndodhur brenda shoqërive shqiptare, dhe kjo për arsyen e vetme, se shqiptarët gjithnjë mision dhe fushëbetejë kanë pasur dhe kanë çështjen kombëtare dhe jo atë fetare! Tani paraqitja e kësaj dukurie, mbase nuk rrezikon vetëm proceset e brendshme, nuk shkatërron atë që me mund është ndërtuar për shekuj, por dëmton edhe raportet e vetë Kosovës me të tjerët. Pra, fenomenet e tilla Kosovën do ta vënin në pozitë të vështirë, e cila gjendje do t’ia harxhonte energjitë brenda për brenda, pa i dhenë mundësi as shoqërisë dhe as vetë Kosovës që të merret më çështje shumë me të mëdha dhe me më rendësi që ka bota dhe njerëzimi sot.

Kështu që më mirë është një gjendje e kontrolluar përmes një miratimi institucional, sesa hedhja poshtë e një kërkesë që do të krijonte gjendje jashtë normales. Periudha e pasluftës ka sjell në Kosovë lloj-lloj njerëzish dhe organizatash në emër të një misioni, që ndoshta ka qenë mbulesë e një të vërtete tjetër. Kur kësaj ia shtojmë edhe brishtësinë dhe jo-kompletimin e institucioneve të sigurisë, ligjit dhe drejtësisë në Kosovë, bëhet mese e domosdoshme përfshirja e të gjithë atyre që mund të japin kontribut të mirë në përballimin dhe luftimin e këtyre dukurive negative. Ne edhe tani që po shkruajmë, kemi raste kur institucionet fetare në Kosovë sfidohen nga disa individë në disa qytete të Kosovës, të cilët nuk u binden atyre dhe veprojnë mbi baza që nuk janë shumë të qarta, jo vetëm për atë që flasin, por edhe për atë se kush qëndron prapa tyre. Kur kësaj ja shtojmë edhe disa zhvillime për rreth Kosovës, atëherë situata na del dhe bëhet edhe më e nderë.

Prandaj, për të mos u dhenë hapësirë individëve të tillë dhe për të mos lejuar manipulimin e rinisë së Kosovës nga kushdo qoftë, atëherë ne duhet të bëjmë diçka. Mos veprimi ynë, do të thotë mundësi dhe hapësirë për të vepruar të tjerët. Ndoshta kjo ka qenë edhe ideja e BIK-ut, që duke vepruar vetë, të shkatërroj misionin e atyre që janë në tentativë për të manipuluar rininë e Kosovës. Ajo që mbetet ende pa u sqaruar brenda iniciativës së BIK-ut është mënyra se, si udhëheqësit e këtij institucioni kanë menduar ta impelemtojnë kërkesën e tyre, ngase edhe kjo ka shumë rendësi?

Një version i implementimit të kësaj kërkese të BIK-ut do të ishte marrja në “pronësi” të kësaj iniciative nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në qeverinë e Kosovës (MASHT), duke krijuar një komisioni, në përbërjen e të cilit do të ishin përveç ekspert të arsimit, edhe të dërguar nga konfeksionet fetare, si nga ajo islame, katolike, ortodokse dhe të tjera të pranishme në Kosovë. Siç dihet Kosova është shtet laik, që do të thotë se shteti është i ndarë nga feja, por kjo nuk e ndalon edukimin shpirtëror të rinis së Kosovës, mision të cilin e ka vet feja. Edhe në demokracitë me të përparuara, si në SHBA dhe shtete të Europës, mësohet për fenë dhe askush nuk thotë se kjo është një përzierje e fesë në politikë apo bashkim i shteti dhe fesë.

Në këtë kontekst, udhëheqësit e konfeksioneve në Kosovë, në bashkëpunim me MASHT-in do të duhej të hartonin një tekst shkollor, materialit e të cilit do të përfshinin gjërat bazë të një edukimi të drejtë, paqësor dhe tolerant që predikojnë të gjitha fetë dhe se do të ishte një model gjithëpërfshirës dhe jo përjashtues. Ndërsa zbatimi në praktikë i kësaj lëndë, nëse do të përfshihej në plan-programet shkollore, do të mund të bëhej duke e caktuar atë si lëndë zgjedhore, çka do të lehtësonte shumë pjesën që nuk dëshiron të mësojë apo nuk i përket asnjërës fe. Pra kjo lëndë nuk do të duhej të ishte dhe as të shikohej si imponim dhe detyrim nga dikush që ta mësoj apo dëgjoj pa vullnetin e tij apo saj.

Sigurisht se edhe këtu ekziston një pyetje shumë e rëndësishme, kush do ta ligjëronte këtë lëndë? Lëndën, emërtimin e të cilës do ta vendosnin të gjithë se bashku dhe kjo çështje nuk do të duhej të ishte pengesë fare, do të mund ta ligjëronin të gjithë ata individë që janë të thirrur dhe kanë përgatitje në këtë fushë, por që do të kualifikoheshin si të tillë në një koordinim mes MASHT-it dhe tri institucioneve fetare, kjo për arsyen e vetme se kemi të bëjmë me një lëndë të ndjeshme, ku edhe pse ekziston teksti nga i cili do të duhej të mësohej, ligjërues po të ketë mendje tjetër do ta interpretonte dhe madje do të dilte tërësisht nga tema e paraparë. Kjo qasje do ta forconte edhe më shumë pasurinë që kanë shqiptarët, që shumë pak popuj e kanë, atë të tolerancës, harmonisë dhe mirëkuptimit që ka ekzistuar për vite të tëra.

Për me tepër, kjo qasje për ta zbatuar mbi këto rregulla kërkesën për përfshirjen e edukatës fetare në shkolla, do ta ndihmonte shumë më shumë shoqërinë e Kosovës që të mos bie pre e manipulimeve të ndryshme, që të mos marr rrugë të gabuara dhe që të angazhohet për ndërtimin e një shtet të fortë dhe koheziv. Sepse, nëse e marrim si të vërtet se shteti është si një familje, atëherë duhet thënë se vetëm një familje e fort do të mund të ndërtoj një shoqëri të fortë, dhe se një shoqëri e fortë do të mund të ndërtoj një shtet të fort. Ndërsa, që një shtet i fort do të mund ta garantoj jetën e të gjithëve, do të krijoj perspektivë me të mirë dhe me të qartë për të gjithë, madje edhe për ata që, ndoshta për momentin, janë errësuar dhe manipuluar nga interesa të caktuara dhe provojnë që t’i venë në jetë ato, edhe atëherë kur janë në dëm të së përgjithshmes, në dëm të kombit dhe vendit të tyre. Kështu që vetëm duke debatuar, ne mund të nxjerrim të mirën e përbashkët, qoftë kjo edhe refuzimi i kërkesë së paraqitur. Me rendësi është që të mos ketë frikë nga debati, ngase vetëm një shoqëri aktive mund t’i siguroj vetës me të mirë.

(Autori ka magjistruar për politikë të jashtme dhe punon si gazetar)

Exit mobile version