Kosova pasditen e së shtunës arriti që të marrë fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Lituanisë me rezultat 2-1.
Kjo ndeshje ishte e vlefshme në kuadër të rrethit të tretë të Ligës së Kombeve dhe ishte një triumf i rëndësishëm drejt arritjes së objektivave.
Një prej më meritorëve për këtë fitore të ‘Dardanëve’ ishte padyshim Edon Zhegrova i cili ia doli që të shënojë gol.
Zhegrova shënoi në minutën e 20-të një gol të bukur për t’i dhënë epërsinë Kosovës prej 1-0 pas asistimit të Florent Muslijës.
Me të përfunduar ndeshja, 25-vjeçari reagoi me një postim në Instagram ku u shpreh i lumtur për golin dhe tha se është krenar që përfaqëson Kosovën.
“Bravo për ekipin për fitoren e marrë. I lumtur që kam shënuar një tjetër gol dhe krenar që përfaqësoj shtetin tim”, ka shkruar Zhegrova.
Ky ishte goli i pestë për Zhegrovën me fanellën e Kosovës teksa ka edhe tri asistime./Telegrafi/