Site icon Telegrafi

Edon Muhaxheri “ringjall” në SHBA alfabetin e parë të gjuhës shqipe Vithkuqi – Ëvetarin e Naum Bredhit (Veqilharxhit)

Edon Muhaxheri, ish student i RIT Kosovë™ (A.U.K) dhe bursist i programit Fullbright në “Maryland Institute College of Art” ka “ringjallur” alfabetin e parë të gjuhës shqipe – Alfabetin Vithkuqi të Naum Bredhit (Veqilharxhit) – në ekspozitën që u mbajt këtë vikend në “The Riggs – LeidyGalleries” në Baltimor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Naum Veqilharxhi, i lindur si Naum Bredhi ishte një nga figurat më të shquara të periudhës së hershme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe besohet se ai filloi krijimin e këtij alfabeti qysh në vitin 1825.

Versioni final i tij me tridhjetë e tre shkronja njihet si alfabeti Vithkuq, i cili u botua si pjesë e abetares në 1844-5 me titullin “Ëvetari Shqip i Shkurtër”.

Ishte mu ky version që u ringjall nga Edoni, si pjesë e punimit të tij të diplomës në programin Master i Arteve të Bukura në “Maryland Institute College of Art” në SHBA. Ai po ashtu ka krijuar edhe makinën e shtypit të quajtur “Bredhi, WritingAutomata” për nder të Naum-it, ku ju mund të shkruani në këtë alfabet.

Në mesin e shumë vizitorëve, edhe disa nga kolegët e tij nga RIT Kosovë™ (A.U.K) që gjenden në studime të Masterit në Amerikë, patën mundësinë që të provojnë makinën drejtpërdrejt gjatë ekspozitës. Aty ishte edhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në punimin e ekspozuar të Edonit gjendet ky mbishkrim: “Gjuha shqipe besohet të jetë një nga dy gjuhët më të vjetra evropiane. Për rreth 5000 vjet, ajo mbijetoi pa pasur sistemin e vet me shkrim. Botuar në 1844, Ëvetari ishte ABC-ja e parë e shtypur në libër që kishte për qëllim për të mësuar alfabetin e shkruar Shqip. Kjo abetare është projektuar nga themeluesi i lëvizjes Rilindja Kombëtare Shqiptare, Naum Bredhi, dhe përmban dizajnin origjinal të alfabetit që Bredhi kishte krijuar”.

Exit mobile version