Telegrafi

Edon Maxhuni në grumbullim me Finlandën

Tanimë kur klubet anembanë botës janë në pushim, përfaqësueset e vendeve përkatëse janë në vlugun e punës për mbledhjen e lojtarëve dhe talenteve për përfaqësim dinjitoz nëpër kampionate evropiane dhe botërore.

Një gjë të tillë e ka bërë edhe përfaqësuesja e shtetit të Finlandës që ia ka rrëmbyer Kosovës talentin kryesor, Edon Maxhunin.

Ky i fundit ka qenë në grumbullimin e parë të Kombëtares finlandeze si dhe do të jetë edhe në grumbullimet e radhës dhe normalisht edhe në ekipin përfundimtar ngase finlandezët e dinë mirë vlerën e basketbollistit dhe nuk e humbasin për asgjë.

Ndërsa se nuk ka marrë kurrfarë ftese nga Federata e Basketbollit të Kosovës, Edon Maxhuni, këtë e konfirmon edhe babai lojtarit dhe njëherazi ish-basketbollisti i spikatur në basketbollin kosovar, Besim Maxhuni, i cili ka treguar se “Edoni nuk ka marrë kurrfarë ftese apo diçka tjetër për tu bashkuar me Kosovën dhe i vije keq që diçka e tillë nuk ka ndodhur ende”.

Ndryshe, Kosova ka siguruar shërbimet e basketbollistëve Gëzim Morina dhe Erjon Kastrati, të cilët kanë vendosur të luajnë për përfaqësuesen e Kosovës duke braktisur radhët e Sllovenisë.

Kosova në para-kualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” do të bëjë gara në Grupin C së bashku me Estonin dhe Maqedoninë, në ndeshjet që do t’i luaj prej 2 deri më 20 gusht 2017.