Thuajse sa herë që gjuan për tri pikë, e shkel vijën. Kapiteni legjendar i Prishtinës këtë behane e arsyeton me një shaka, duke thënë: “E kam një gisht më madh”!
Shumëkush do t’ia bënte pyetjen e njëjtë Edmond Azemit: “Pse e shkel vijën, sa herë që gjuan për tri pikë?”. Dhe, përgjigja e basketbollistit legjendar të Prishtinës është kjo: “E kam njërin gisht të këmbës më të madh!”, shkruan Zëri. Sigurisht, duke bërë shaka i përgjigjet gjithnjë kësaj pyetjeje, sepse Edo nuk di se s’i ta arsyetojë ndryshe “defektin” e papërmirësueshëm që e përcolli gjatë gjithë karrierës së bujshme të tij. 35-vjeçari nuk ka hezituar të flasë për këtë dobësi, të cilën e ka bartur si ves prej fëmijërisë. “Është interesant sepse nga fillimi i karrierës e kam pasur një shprehi, që nuk do ta quaja të keqe, pasi zakonisht bëj një hap përpara kur gjuaj për tri pikë.
Por, kjo gjithnjë më ka kushtuar. Kjo pasi po gjuaj nga një distancë e largët, dhe po më shënohen vetëm dy pikë, e që do të duhej të numëroheshin tri. Por, sherri që po e shkeli vijën, gjithnjë e humbi një pikë”, rrëfehet Edo në një bisedë me “Zërin”. Ai thotë se me gjithë vërejtjet që ka marrë dhe përpjekjet për ta përmirësuar këtë veti, asnjëherë nuk ia ka dalë. “Kam provuar që ta largoj këtë shprehi, pasi vërtet po më kushton. Kam ushtruar thuajse çdo ditë që të mos e shkel vijën e trepikëshit, por nuk e di, kot”, thekson ai. Atij më së shumti i vjen keq për tifozët, sepse kjo veti e tij, i prek direkt në emocione “Plisat”. “Kur gjuaj për tri pikë tashmë edhe tifozët e dinë se e kam shkelur vijën dhe mundohen të më korrigjojnë. Madje nganjëherë kur shënoj për tri pikë, ata mendojnë se kam shkelur vijën dhe do të numërohen vetëm dy pikë”, u shpreh Edo Azemi për Zërin.
“Edhe bashkëlojtarët kur më pasojnë topin mundohen të ma kujtojnë që të mos e shkel vijën. Trajnerët po ashtu. Por, brenda një ndeshje më ka ndodhur që tri herë të shkel vijën”, shpjegon ikona e Prishtinës.