Telegrafi

Edlir Reka i shiti publikut asgjënë e tij si shumëçka

Irena Shabani

Ky djali që krenohej me pikturat e të tjerëve dhe i shiste në publik për të vetat, që mashtroi dhe mori në qafë televizione të rëndësishme dhe media të tjera të shkruara, më pëlqeu shumë!

Edlir Reka, i cili me dëlirësinë nuk takohej asgjëkundi, më kujtoi përrallën e famshme të danezit Andersen, “Rrobat e reja të mbretit”. Ai i shiti publikut asgjënë e tij si shumëçka (fotomontazhet me pikturat e artistëve ndërkombëtarë i kishte shumë të arrira).

Një duartrokitje për pafytyrësinë e tij. Një duartrokitje të munguar edhe për gjithë ata artistë të talentuar dhe modestë, artin e të cilëve nuk e njohim.

Instagrami me kohë është kthyer në një bizhuteri kallpe që të gjithë e shesin për flori. Të jetosh në mënyrë të rreme dëmton rëndë shëndetin mendor. Reklamimet e rrobave, ushqimeve dhe librave në përgjithësi tregojnë varfërinë, urinë dhe paditurinë.

I falem Umberto Ecos që shkroi dikur: “Interneti na jep gjithçka dhe na detyron të filtrojmë atë jo nga veprimet e kulturës, por me trurin tonë. Kjo rrezikon krijimin e gjashtë miliardë enciklopedive të veçanta, të cilat do të parandalonin çdo kuptim të përbashkët.” Shkurt do ta thoshim: Interneti u dha zë gjithë budallenjve!