Site icon Telegrafi

Edith Harxhi reagon pasi disa kandidatë u përjashtuan nga gara për kryetar të PD-së: Akt i rëndë

Ndonëse është një prej 4 kandidatëve që do të garojnë për kreun e ri të Partisë Demokratike më 13 qershor, Edith Harxhi ka reaguar ashpër në lidhje me përjashtimin e disa emrave të tjerë që kishin shprehur gatishmërinë të garonin.

Sipas Harxhit, përjashtimi nga gara e kandidatëve është një akt i rëndë për një parti të djathtë, duke akuzuar edhe njëherë Bashën se nuk po e mban fjalën.

“Përjashtimi nga gara i kandidatëve për Kryetar Partie është akt i rëndë për një Parti të djathtë për të cilën Kryetari i saj aktual ka premtuar disa herë sistem përballje (primaresh), por edhe në këtë rast si në raste të tjera ishte besëprerë. Në veçanti përjashtimi nga gara i Ibsen Elezit njërit prej kandidatëve të Grupit për PD-në, si një nga zërat opozitarë më të paepur në Shqipëri, ish Kryetar i Partisë Demokratike të Kuksit dhe ish-Kryetar i Qarkut të Kuksit, ish-anëtar i Këshillit Kombëtar, është i pajustifikueshëm dhe i rëndë. Z. Elezi prej disa vitesh kërkon reformimin e thellë të Partisë nga marrja peng e saj nga një njeri i vetëm. Ne do ta vazhdojmë së bashku si grup këtë betejë për reformim pavarësisht pengesave të qëllimshme nga Kryetari aktual”, shkruan Edith Harxhi.

Ndërkohë ish-kryetari i Partisë Demokratike në Kukës, Ibsen Elezi ka reaguar për herë të parë pasi mbledhja e Kryesisë vendosi ta skualifikojë nga gara për kreun e ri të PD që do të zhvillohet më 13 qershor.
Exit mobile version