Kryetarja e Alternativës Demokratike të Kosovës, Edita Tahiri ka treguar arsyet që e kanë çuar atë drejt largimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës në vitin 2004.
Ministrja për Dialog e Kosovës ka thënë se dalja e saj nga LDK, për të krijuar partinë Alternativa Demokratike e Kosovës, ka ndodhur ngaqë LDK-ja nuk e ka luftuar korrupsionin.
Teksa ka folur për korrupsionin, Tahiri, ka thënë në emisionin ‘Tonight Ilva Tare’ në Ora News se ajo ka braktisur partinë e mëparshme sepse ajo jo vetëm që nuk e luftonte korrupsionin, por hapi rrugë për korrupsionin.
“Jam një prej luftëtareve kundër korrupsionit, sepse e lidh me interesat shtetërore kombëtare. Ose do të luftojmë korrupsionin me rezultate të prekshme, ose do të mbyllim shansin vendeve tona që të zhvillohen ekonomikisht por kjo është e lidhur edhe me integrimet europiane”, është shprehur Tahiri.