Telegrafi

Edita Tahiri takon ambasadorët Wisner dhe Ischinger

Tahiri u interesua për rezultatet e negociatave të pesë nëntorit si dhe perspektivat e përgjithshme të negociatave të statusit të Kosovës që pritet të përfundojnë me dhjetë dhjetor. Ndërmjetësitë ndërkombëtar, Ischinger dhe Wisner vlerësuan se procesi i bisedimeve nuk ka bërë përparime të duhura dhe se kompromisi është i domosdoshëm për të pasur rezultate.

Ata theksuan se do të angazhohen në mënyrë kreative për ide të ndryshme që mund të shërbejnë në ofrimin e qëndrimeve mes palëve si dhe rrjedhat e këtij procesi dhe t’i bëhen të njohura sekretarit të përgjithshme të OKB-së, më 10 dhjetor. Ata shtuan më tej se nga palët pritet që të jenë më bashkëpunues në këtë proces, marrë parasysh rëndësinë e madhe të definimit të statusit të Kosovës në kontekstin rajonal e më gjerë.

Nga ana e saj, Edita Tahiri, thekoi se çështja e definimit të statusit të Kosovës është një çështje jetike për popullin e Kosovës dhe se vazhdimi i paqartësisë në këtë drejtim është me efekte depresive e destabilizuese.

Tahiri tha se procesi i bisedimeve duhet ta ketë fundin e vet dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë vendim ta njoh pavarësinë e Kosovës sa më shpejtë. Pas dhjetë dhjetorit, është e domosdoshme që SHBA dhe BE të dalin me një plan të qartë për pavarësimin e Kosovës i cili do ta nxjerrë Kosovën nga status-quoja e padurueshme dhe do të hap perspektiva ekonomike e të mirëqenies për qytetarët e Kosovës, tha ajo.

“Pavarësia e Kosovës është kontribut për përshpejtimin e integrimeve euroatlantike, prandaj është në interes të vet Serbisë dhe të rajonit që kjo të ndodh sa më shpejt’, ka theksuar Tahiri, njofton zyra për informim e ADK-së.