Me publikimin e draft statutit për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe nisjen e diskutimeve në Ambasadën amerikane, reagimet dhe debatet në Prishtinë janë të shumta.
E pyetur në “Debat” nga Alba Alishani në A2 CNN se çfarë mendon për draftin e propozuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung, Edita Tahiri thotë se nuk e ka lexuar pasi problemi kryesor aktualisht lidhet me qeverinë e Kosovës.
Ish-kryenegociatore e Kosovës në bisedimet me Serbinë u shpreh se qeveria Kurti, duke qenë se e ka bërë kauzë Asociacionin, “tashmë nuk merret fare me këtë çështje.”
Siç u shpreh zonja Tahiri, të gjithë në Kosovë po presin tashmë që qeveria dhe vetë Albin Kurti të flasë.
“Nuk e kam shikuar. Jam marrë me këtë proces në kohën e Brukselit kur isha negociatore. Kemi një problem politik në Kosovë që lidhet me qeverinë e Kosovës e cila, duke qenë se e ka bërë kauzë këtë temë, e ka kundërshtuar, i ka premtuar elektoratit që nuk do ta pranojë dhe tani nuk merret fare. Debati tashmë ka mbetur te zërat dhe të ata që nuk kanë mandat. Mandati i Asociacionin si detyrim ndërkombëtar është i qeverisë. Të gjithë po presim që të flasë,” u shpreh Edita Tahiri.
Po ashtu, sipas ish-kryenegociatores në bisedimet me Serbinë qeveria e Kosovës po “luan” aktualisht në mbrojtje dhe siç u shpreh ajo, në negociata kur qëndron në mbrojtje, je humbës.
“Nuk e dëgjuam fare qeverinë të merrej me planin franko-gjerman që ka mungesë të njohjes reciproke sepse është e kurthuar nga kjo temë e Asociacionit. Nuk po mund ta shtyjë përpara këtë plan. Njohja reciproke është marrëveshja finale që pritet.”
Drafti i organizatës gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung, i përbërë nga 7 kapituj dhe 18 nene, parashikon mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të këtij asociacioni, përfshirë simbolet.
Propozuesit e Draftit thonë se asosacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me Marrëveshjen e Brukselit. Asociacioni parashikohet të ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin. Pjese e këtij asociacioni mund të jenë 10 komunat me shumicë serbe dhe që do të ketë të drejta të plota në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, në fushën e edukimit, planifikimit urban, si dhe rural.
Asociacioni ka të drejtë të ketë buxhet të tijin, do të ushtrojë edhe kompetenca të tjera shtesë, do të të ketë Kuvendin, Kryetarin, nënkryetarin, këshillin dhe bordin. Neni 16 parashikon që Qeveria e Kosovës, përmes një akti juridik, t’i japë Asociacionit statusin e subjektit juridik. Sa i takon financimit, sipas dokumentit në fjalë, këtu përfshihet edhe Serbia.
Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministri Kurti janë kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshjeje tjetër mbi baza etnike dhe kompetenca ekzekutive.