Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se muri në anën veriore të Mitrovicës, i nisur të ndërtohet nga serbët, duhet të rrënohet, sepse nuk është pjesë e marrëveshjes së Brukselit.
Ajo për Klan Kosovën madje ka theksuar se nëse Bashkimi Evropian nuk ndërmerr masa për kryerjen e kësaj pune, do të jenë institucionet e vendit që do ta bëjnë këtë gjë.
“Ky është një zhvillim ilegal, në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit. Tani në terren është një ekip atje, që është duke përcjell këtë zhvillim. Janë dërguar inspektorët e Ministrisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa vazhdoj të jem në kontakt me Brukselin dhe shefen e misionit në Kosovë, Nataliya Apostolova”, ka thënë ajo. “Bashkimi Evropian është garantues i marrëveshjes dhe i zbatimit të saj. Po presim informata zyrtare nga ta. Por nëse BE nuk merr masa adekuate për rrënimin e saj, do ta bëjmë ne këtë gjë”.