Edin Kolgeci është kryetar i ri i Federatës së Hendbollit të Kosovës. Ai e mori përkrahjen e plotë të delegatëve në Kuvendin Zgjedhor të FHK-së të mbajtur të enjten në Prishtinë.
Kolgeci është doktor, kurse ka drejtuar për kohë të gjatë klubin Prishtina. Është edhe ish-hendbollist. Ai ishte kandidati i vetëm për postin e kryetarit.
Në tri mandatet e kaluara FHK-në e ka udhëhequr Eugen Saraçini.
Mandati i Kolgecit është katërvjeçar. Kolgeci ka falënderuar delegatët për besimin, ndërsa ka premtuar punë maksimale dhe bashkëpunim me të gjitha palët për rritjen e mëtejmë të hendbollit kosovar.
Nënkryetar u zgjodh Xhavit Morina, ndërsa anëtare të Bordit me votat e delegatëve u zgjodhën Fatmire Ferati e Vlora Jashari.
Pjesë e bordit të ri janë edhe Shemsa Sadiku, që përfaqëson komunitetet, Isak Osmani i Shoqatës së Gjyqtarëve dhe Faruk Shala i shoqatës së trajnerëve.
Presidenti Kolgeci e shfrytëzoi të drejtën statutore për zgjedhjen e tre anëtarëve të Bordit. Anëtarë të tjerë të Bordit janë: Eugen Saraçini, Fisnik Salihu e Agon Haxhikadrija.
Në Kuvendin Zgjedhor ishin 36 prej 37 delegatëve. /Telegrafi/