“Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo që ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014, këtë edicion do të prezantojë skenën kulturore e shoqërore të Serbisë në Prishtinë nga 14 deri më 16 tetor 2021.
Këtë edicion do të jenë qytetarët e Kosovës ata që do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Serbisë përmes një sërë prodhimesh artistike; filma, koncert, ekspozitë promovime të librave, etj.
Një pjesë e programit si çdo herë do t’i kushtohet diskutimeve dhe debateve që trajtojnë tema të rëndësishme për shoqëritë e të dy vendeve.
Gjatë ditëve të programit “Mirëdita, dobar dan!”, audiencës së Prishtinës do t’i prezantohen artistë dhe krijues që përfaqësojnë skenën kulturore dhe shoqërore moderne të Serbisë.
Këtë vit, “Mirëdita, dobar dan!” do të hapet në Kino Armata me shfaqjen e filmit dokumentar “Hold me right/Më shëro” nga Danijela Stajnfeld.
Filmi “Më shëro” fokusohet tek të mbijetuarat, ashtu edhe autorët e sulmeve seksuale, përmes udhëtimit tronditës të të folurit për atë që iu ka ndodhur, shërimit dhe tejkalimit. Shfaqja e filmit do të paraprihet nga një perfomancë mikpritëse me Drag Queens nga Beogradi – Loakiin dhe Rubella Feminine, të shoqëruar nga DJ Jovijah.
Në ditën e dytë, publiku do të ketë mundësi të përcjellë promovimin e librit “Serbia tjetër”, me autor Shkëlzen Gashin, e menjëherë më pas të marr pjesë në debatin “Cila është Serbia tjetër?”, që do të mbahen në Pallatin e Rinisë, në Sallën e Ateliesë.
Në mbrëmjen e ditës së dytë të programit “Mirëdita, dobar dan!”, do të mbahet koncerti “Pavana and more” – Solo/Piano duet, me pianistet Branka Parliq dhe Natasha Peneziq, i cili do të jepet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.
Dita e fundit do të fillojë me promovimin e librit “Vrasja e Kulturës”, me autorët Viktor Ivançiq, Hrvoje Polan dhe Nemanja Stjepanoviq, për të vazhduar më pas me debatin “Kultura si mjet politik”, që do të mbahen në Pallatin e Rinisë, në Sallën e Ateliesë. Pas debatit, publiku kosovar do të ketë mundësi të shoh ekspozitën fotografike “Vrasja e Kulturës” të fotografit Hrvoje Polan, në të njëjtin vend.
Ngjarja përmbyllëse e edicionit të këtij viti do të jetë shfaqja e filmit “Ngarkesa” nga Ognjen Glavonić, i cili do të jepet në orën 19:30 në Kino Armata.
Qëllimi kryesor i programit “Mirëdita, dobar dan!” është të prezantoj skenën kulturore të Kosovës në Serbi dhe anasjelltas, dhe përmes takimit të përfaqësuesve të komunitetit artistik dhe të shoqërisë civile të Kosovës dhe Serbisë të nxisë shkëmbimin e ideve dhe të krijojë një traditë bashkëpunimi.
Frymëzim për “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav, botërorë, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore.
Hyrja në të gjitha ngjarjet e programit, si edhe në edicionet e kaluara, do të jetë falas.
Programi “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, forumZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe Rockefeller Brothers Fund.
Ju lutemi gjeni bashkangjitur posterin dhe programin e edicionit të tetë të “Mirëdita, dobar dan!” në Prishtinë në të tria gjuhët.