Site icon Telegrafi

Edicioni i 9-të i ICT Awards shpall fituesit, një dekadë teknologji që flet shqip

Gara më e madhe në teknologji në trevat shqipfolëse, Albanian ICT Awards, mbylli ditën e premte (11 qershor 2021), edicionin e 9-të me shpalljen e fituesve.

Një dekadë teknologji e përkthyer në kontribut ndër vite nga garues, finalistë e fitues të ICT Awards.

Duke prekur thuajse çdo aspekt të jetëve të shqiptarëve kudo në trevat shqipfolëse, nga luftimi i Covid-19 tek pasiguria online, kjo garë nuk ka njohur asnjëherë humbës por vetëm triumfues.

Në këtë ceremoni nderuan me pjesëmarrjen e tyre kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, zëvendës ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Bora Muzhaqi, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, ekspertë, profesionistë, entuziastë, udhëheqës e yje në ngritje të komunitetit të teknologjisë dhe informacionit.

“Më kujtohet ICTSmedia kur hodhi hapat e para duke bërë bashkë dy breza mendje të bukura dhe heronj të kohës moderne si yje në ngritje, sipërmarrës, drejtues, profesionistë dhe udhëheqës të IT-së”, tha bashkëthemeluesi i ICT Awards z. Kushtrim Shala. “Mbetet projekti më emocionues nga ajo që kemi arritur si ICTSmedia”.

“Durimi 9 vjeçar për të rritur një bebe që sot është shndërruar në një ikonë e këtij qyteti. Kur mora detyrën i bëra një premtim vetes, Tirana një kryeqytet dixhital dhe jemi shumë pranë këtij qëllimi. Besoj vitin e ardhshëm kur edhe ICT Awards të kremtojë edicionin e 10-të do t’ia arrijmë”, ka thënë kryetari i Bashkisë Tiranë z. Erion Veliaj.

Ai theksoi se me ICT Awards të gjithë gëzojmë frytet e një sfide të përbashkët.

Kryetarja e jurisë Edlira Martiri tha se “ajo që e dallon ICT Awards nga evenimentet e tjera është se prurjet janë nga sektorë të ndryshëm. Çdo gjë që del prej duarve tona duhet ti shërbejë shoqërisë dhe njerëzimit”.

Pjesëmarrjen e tij në mbrëmjen Gala Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri z. Nait Hasani e shprehur me fjalë: “ICT Awards është avancimi më i madh i kombit tonë përmes teknologjisë. Ata që hipin në këtë skenë sot janë shembulli më i mirë i rinisë sonë”.

Gara e këtij edicioni u zhvillua rreth 6 kategorive: Inovacioni i Vitit, Startupi i Vitit, Diploma e Vitit, Ylli në Ngritje, Siguria Kibernetike dhe Covid-19 Response.

Ceremonia e kurorëzimit nisi me kategorinë Inovacioni i Vitit ku garonin Donart Zeqiri me projektin HrBee, Genti Xibri me projektin Cari Heart dhe Ylli Qarkaxhiu me projektin IBAS.

Fitues u shpall IBAS dhe përmes këtij aplikacioni qytetarët kanë mundësi të kryejnë të gjitha shërbimet në një vend dhe me një fleksibilitet shumë të madh.

Në kategorinë Startupi i Vitit garuan Dean Çelaj me projektin Akademi.al, Kadri Manaj me projektin Fomobot.ai dhe Visorjan Koja me projektin Scan&Go. Platforma Akademi.al u shpall fituese, një platformë interaktive e mësimit online për studentë, mësues, shkolla e universitete e njohur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për të ofruar mësim online gjatë pandemisë së Covid-19.

Diploma e Vitit vuri përballë Doriela Grabocka me projektin Vlerësimi i algoritmeve të klasifikimit të diagnozës së ashpërisë të kancerit të gjirit, Edona Haziraj me projektin Rectify dhe Leand Thaçi me projektin NoPhish. Një shtojcë për shfletuesin Chrome pajisur me inteligjencë artificiale dhe që mund të identifikojë uebsajtet phishing, NoPhish ishte projekti fitues.

Daniel Doçi dhe projekti i tij VDRS2 u shpall fitues në kategorinë Ylli në Ngritje. Ai konkurronte me Daniel Dani me projektin Clean City; My Friend dhe ChatBot dhe Venis Morina me projektin Atomos. VRDS 2 është një projekt i cili stimulon drejtimin e automjeteve te ndryshme ne shqisën e shikimit, dëgjimit dhe te prekurit e krijuar me qellim qe kursantet e patentës te trajnohen ne mënyre virtuale pa pasur rrezikun dhe friken e përplasjes fizike.

Çmimi Cyber Security shkoi për Albion Bikliqi. Kompania që ai drejton ka zhvilluar një platformë për parandalimin e sulmeve kibernetike quajtur Tego Guardian. Ai konkurronte përballë Kleiton Kurti me projektin Zerobyte.

Jusuf Rrustja me projektin e tij SPAC rrëmbeu çmimin Covid-19 Response. Ai ka zhvilluar një robot dezinfektues i cili është ndërtuar për të dezinfektuar ambientet e mëdha në mënyrë autonome.

Jusufi konkurroi me Elbion Redenica me projektin Kqyr e Dil dhe Ester Subashi me projektin Covid-19 Tracer.

Mbrëmja Gala kishte rezervuar edhe disa mirënjohje për kontributin e shquar dhënë nga shqiptarë, të rinj dhe të reja, profesionistë, akademikë dhe entuziastë në teknologji si: Amar Iseni, Grupi ArtUnity nga Maqedonia, Prof. Dr. Shkëlzen Cakaj.

Mirënjohje shkuan për Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Qendrës Bonevet që ju dorëzuan Prof. Dr. Blerim Rexha, dhe Lekë Zherka respektivisht. Mirënjohje për Hedije Gjoni për angazhimin serioz në cilësinë e Drejtoreshës së Shkollës Elektrike dhe Teknike Gjergj Canco dhe për prirje të avancuarave në teknologji të nxënësve të kësaj shkolle.

ICT Awards shpalli zyrtarisht të hapur garën më 26 Mars, dhe për herë të parë u organizua një eveniment plotësisht virtual, një hapje krejtësisht ndryshe nga vitet e kaluar për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19. Aplikimet në këtë garë mbeten të hapura deri më 30 prill ku dhe mbërritën 78 projekte.

ICT Awards ka mbështetjen e sponsorëve gjeneralë dhe Diamond si Banka Raiffeisen, Fondacioni Dritan Hoxha, Albvision sponsorëve Platinum si Dev.al dhe Albsoft. Huawei, Baboon, AUK, Universiteti Metropolitan si sponsorë Gold dhe 3i Solution, Soft&Solution, Ritech dhe Facilization si sponsor Silver.
Bashkia Tiranë, Komuna e Prishtinës, SEEU TechPark dhe KujuStudio janë partnerë të kësaj nisme.

Që nga themelimi ICT Awards ka vlerësuar mbi 1,000 projekte në fusha dhe kategori të ndryshme ndërsa 100 prej tyre janë shpërblyer.

Fituesit

ICT Inovacioni i Vitit : Ylli Qarkaxhija me projektin IBAS

ICT Startupi i Vitit: Dean Çelaj me projektin Akademi.al

ICT Diploma e Vitit: Leand Thaçi me projektin NoPhish

ICT Ylli në Ngritje: Daniel Doçi me projektin VRDS2

Cyber Security: Albion Bikliqi me projektin Tego Guardian

Covid-19 Response: Jusuf Rrustaj me projektin SPAC

Mirënjohje

Mirënjohje për kontributin e shquar dhënë nga Shqiptarë, të rinj dhe të reja, profesionistë, akademikë dhe entuziastë në teknologji si:

• Amar Iseni

• Grupi ArtUnity nga Maqedonia

• Prof. Dr. Shkëlzen Cakaj

• Hedije Gjoni/ Shkolla Elektrike Teknike “Gjergj Canco”

• Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës

• Qendra Bonevet

Rreth ICTSmedia

ICTSmedia është shtëpia botuese lider në rajon në fushën e teknologjisë dhe informacionit. Themeluese e garës mbarëkombëtare në teknologji Albanian ICT Awards, akseleratorit rajonal të startupeve Uplift Albania dhe mbështetëse e aktiviteteve të ngjashme në këtë sektor në Shqipëri.

Laboratori multi-funksional ICTSlab me disa prej kurrikulave më të avancuara ndërkombëtare vjen si një fryt i eksperiencës së ICTSmedia. Shtëpia botuese është publikuese e disa prej mediave online më të ndjekura në teknologji si PCWorld Albanian. /Telegrafi/

Exit mobile version