Paramendojeni sikur Kosova dhe shoqëria e saj të kishte së paku një parti opozitare sikurse ajo e PS-së në Shqipëri, paramendojeni Kosovën sikur të kishte një politikan sikurse Edi Rama. Nuk e di se sa shpejt do të zhvillohej, por Kosova nuk do vinte në pozitë që policët dhe gjyqtarët ndërkombëtar ta luftojnë korrupsionin këtejpari. Dua të them, Kosova do të zhvillohej shumë më shpejt me politikanë të kalibrit Edi Rama dhe me parti të profilizuara sikurse Partia Socialiste e Shqipërisë.
Këta rreshta mund të jenë pa ndonjë përmbajtje të theksuar argumentuese për Edin dhe PS-në, e kjo nuk është çudi kur kihet parasysh që shumica e medieve të Kosovës ofrojnë helm për PS dhe Edi Ramën, sikurse është rasti me televizionin e Kosovës, RTK. Në këtë mënyrë, Edi Rama dhe PS nga kosovarët shihet si armik, ndërsa kryeministri aktual (i sëmurë politikisht) i Shqipërisë, Sali Berisha, shihet si shpëtues, si fitimtar. Kjo, po get, e pata thënë edhe një herë, sepse Sala është nga Veriu, pra shihet dhe mbetet disi emocionalisht i afërt nga kosovarët.
Për më tepër, është thënë edhe para meje, se kosovarët po e bëjnë të njëjtin gabim historik dhe të pafalshëm – po e besojnë qorrazi Sali Berishës ashtu siç e besuan qorrazi Enver Hoxhën. Sido që të jetë, nëse hapen kutitë e dyshuara të votimit (e ato do të hapen), Sali Berisha dhe partia e tij do të mbeten me rreth 30 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. E kjo është ajo që i tremben ndërkombëtarët, por që po ia ndërtojnë djepin, pra vendin se ku do të bjerë Sala që, kur të bjerë, të mos e trondit Shqipërinë dhe viset tjera shqiptare.
Sido që të jetë dhe të bëhet atje, Kosova ka nevojë për politikanë të kalibrit Edi Rama, Kosova ka nevojë për parti të profilit të PS, pra Kosova ka nevojë për politikanë dhe parti që mbrojë dhe promovojnë me këmbëngulësi interesin qytetar në këtë vend e jo vetëm me deklarata boshe mediale. Kosova ka nevojë për parti dhe politikanë që luftojnë korrupsionin me vepra e jo nga tavolina deklarative, përsëri, mediale.
Kosova ka shumëçka të mësojë nga Shqipëria. Edhe mediet, edhe gazetarët dhe analistë e publicistë kanë çfarë të mësojnë nga Shqipëria, por jo nga Sali Berisha politikën dhe Klan Shqipëria gazetarinë. Tek e fundit, këso lloj politikanësh dhe këso lloj mediesh veç i kemi. Neve na duhen alternativa, neve na duhet politikanë, neve na duhen parti politike dhe neve na duhen medie të ndryshme nga ato që i kemi tash e dhjetë vjet, në mos më shumë. Neve na duhet të formojmë burime qytetarë nga ku do të kërkohej me këmbëngulësi respektimi i të drejtës qytetare dhe respektimi I të drejtës civile në këtë vend. Neve na duhen burime që luftojnë korrupsionin politik dhe financiar në Kosovë. Neve na duhen parti politike që promovojnë dhe politikanë që luftojnë me këmbëngulësi për të drejtën qytetare në këtë shoqëri.
Edi Rama dhe Partia Socialiste ishte ajo që e anëtarësoi Shqipërinë në NATO, Edi Rama dhe Partia Socialiste ishte ajo qe i hapi derën Shqipërisë t’i liberalizohen vizat për në shtetet e Bashkimit Evropian (BE), Edi Rama dhe Partia Socialiste është ajo që i hapi derën dhe mundësinë që edhe Kosovës t’i liberalizohen vizat (t’i vijë radha) në një të ardhme të afërt. Si individ, si qytetar i Kosovës, pra si kosovar, e kam vetëm këtë deklarim “Edi Rama, të faleminderit”.