Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka sqaruar sot gjatë konferencës me Romana Vlahutin se pse ishte shprehur kundër Donald Trumpit, tashmë President i ri SHBA-ve.
“Unë jam shprehur kundër Donald Trump si kandidat sepse më kanë prekur deklaratat për Kosovën, myslimanët dhe emigrantët”, sqaroi Rama, ndërsa theksoi se ai nuk ishte i vetmi që doli kundër Trumpit në atë kohë.
“Përkundrazi jam një pikë uji në detin e prononcimeve të pafavorshme kundër tij si kandidat”, theksoi kryeministri shqiptar.
Gjithsesi, pavarësisht kësaj, Kryeministri tha se respekti i Qeverisë shqiptare dhe gjithë popullit shqiptarë për Presidentin amerikan nuk vihet në diskutim.
“Sot ai është zgjedhur nga populli për të udhëhequr SHBA dhe respekti im si Kryeministër i këtij vendi, respekti ynë për popullin amerikan dhe zgjedhjen e tij i shqiptarëve dhe qeverisë shqiptare, as që nuk vihet në diskutim”, u shpreh Rama.